Si po shuhet Shqipëria, shifrat alarmuese!


Si po shuhet Shqipëria, shifrat alarmuese!
Në gjashtëmujorin e parë, lindshmëria pësoi rënien më të madhe që nga viti 1990. Ulja me 29% e lindshmërisë së bebeve në raport me fundin e vitit të kaluar, është një episod i frikshëm për zhvillimet demografike në vend. Bashkë me emigracionin e lartë, rënia e lindshmërisë në nivelet më të larta historike është tregues i qartë se shoqëria po përjeton një fazë depresioni. Demografët shpjegojnë arsyet që kanë çuar në këtë situatë, duke sugjeruar disa “receta”. Bizneset e arsimit parashkollor shumë shpejt do të vihen në vështirësi dhe tregu do të përballet me humbjen e forcës së aftë të punës.

Blerina Hoxha

Artani dhe Majlinda janë një nga çiftet e martuara në dhjetë vitet e fundit që nuk ndihen të sigurt të kenë një fëmijë të dytë. Pas pesë vitesh martese kanë vendosur të lindin fëmijën e parë dhe nuk kanë plane për një tjetër. Arsyet për të mos shtuar familjen e re me shumë fëmijë lidhen tërësisht me ekonominë. Artani prej vitesh ka humbur punën për shkak të falimentit të kompanisë, ndërsa po has në vështirësi për t’u integruar sërish. “Punët e tjera që kam gjetur më pas nuk qenë stabile. Nuk kanë qenë korrektë me pagat ose kanë kërkuar angazhim të përkohshëm”,- shprehet ai. Majlinda është vetëpunësuar në një rrobaqepësi. Përveç shpenzimeve për fëmijën tashmë 5 vjeç kanë për të paguar edhe dy qira mujore, atë të dyqanit dhe të shtëpisë. Pjesa që mbetet mezi sa mbulon shpenzimet jetike të muajit bashkë me faturat e dritave dhe ujit. Puna e Majlindës deri para një viti po ecte mirë ndërsa tatimorët nisën ta vizitonin ditë për ditë. Ka edhe disa gjoba për të paguar. Ajo thotë se kërkesa për shërbime rrobaqepësie ka rënë, teksa thotë se është duke menduar që të largohet me gjithë familjen jashtë vendit, edhe pse tashmë është vonë. “Shpresoj të më dalë Lotaria Amerikane. E kam plotësuar qysh ditën e parë.” Ajo thotë se të njëjtën histori ka edhe motra e saj, teksa pohon se një nga vëllezërit me gjithë familjen ka kërkuar azil në Francë dhe tashmë është sistemuar atje. “Nuk bëhet fjalë për një fëmijë të dytë. Nuk kam siguri dhe as mundësi të përballoj shpenzimet”, thotë ajo.

Historia e Artanit dhe Majlindës është e shumë çifteve të reja në Tiranë. Shërbimet mbështetëse për nënat dhe familjet e reja mungojnë totalisht. Politikat për strehim nuk ekzistojnë dhe, nga ana tjetër, Kodi i Punës për nënat e reja nuk respektohet në një pjesë të madhe të sektorit privat….

….Përtej debateve publike për hashashin, vetting-un dhe lugës bosh që politika u jep përditë qytetarëve, shoqëria shqiptare duket se është futur në depresion. Shenjat e para i dha emigracioni masiv i vitit të kaluar, por duket se situata është rënduar më tej këtë vit, pasi numri i lindjeve ka rënë në mënyrë drastike.

Në gjysmën e parë të vitit, INSTAT konfirmoi se lindjet kishin pësuar rënie vjetore me 27%. Kjo ishte rënia më e madhe e lindshmërisë, të paktën që nga viti 1990. Fenomeni i ka trembur demografët dhe sociologët, të cilët pohojnë se, ky reagim i shoqërisë shqiptare, është një tregues i qartë i pesimizmit që po kalon ajo.

Demografja Majlindja Nesturi thotë se rënia e lindjeve është ndikuar nga niveli i lartë i emigracionit dhe situata ekonomike që po kalojnë çiftet e reja. Mosangazhimi në tregun e punës i të rinjve është pengesa kryesore për fekondimin. Papunësia në Shqipëri aktualisht luhatet në nivelin 16%, por ndër të rinjtë, deri në 30 vjeç, është më shumë se 30%.

Por, mbi të gjitha, psikologët pohojnë se shqiptarët kanë humbur shpresën dhe ndihen të pasigurt për të krijuar familje dhe për ta shtuar atë.

Profesor Edmond Dragoti e lidh rënien e lindshmërisë me ndryshimin e mënyrës së të menduarit të shoqërisë shqiptare, ku tashmë po kalohet gradualisht nga kultura patriarkale, autoritare, kolektive, në kulturën individualiste. Kjo do të thotë se individi i sotëm është më pak i varur, kujdeset dhe përgjigjet gjithnjë e më pak për të tjerët e familjes apo fisit dhe mendon gjithnjë e më shumë vetëm për zhvillimin e vetes. Ky nuk është vetëm një fenomen shqiptar, por mbarëbotëror. Kështu ngjau edhe në kohën e Revolucionit Industrial në Angli, kur kalimi në ideologjinë individualiste u shoqërua me rënien e shpejtë të lindjeve, thotë Dragoti.

Ai vë në dukje se edhe dukuria e migrimit të brendshëm dhe të jashtëm, që paraqet një lëvizje masive të popullsisë, ndikon në uljen e ritmit dhe numrit të lindjeve. Ndërkohë edhe pasoja të tilla të zhvillimit të pakontrolluar të vendit tonë si papunësia e lartë, varfëria, ulja e cilësisë së jetës, pasiguria sociale dhe ekonomike, shpërbërja e familjes si dhe padrejtësia shoqërore kthehen dhe shërbejnë si faktor i rëndësishëm, – pohon profesori i Shkencave Sociale.
Kjo dukuri do të ketë ndikime të shpejta në bizneset që lidhen me çerdhet dhe arsimin parashkollor. Në vitet e mëvonshme, tregu i punës do të vuajë nga prurjet e reja dhe skemat e mbrojtjes sociale dhe qeveritë do të përballen me kosto të larta të pleqërimit të vendit. Astrit Hado, drejtori i Institutit të Sigurimeve Shoqërore, bën thirrje për hartimin e politikave stimuluese për rritjen e lindshmërisë. Rënia e kapitalit njerëzor prej lindjeve të reja është më e rrezikshme se emigracioni, thotë Hado, pasi sipas tij, fenomeni i emigracionit ka shpresa rikuperimi.

Rënia e frikshme

Në vitin 1990, kur ekonomia shqiptare preku ekonominë e tregut pas 45 vitesh izolim, numri i lindjeve ishte mbi 82 mijë bebe në një vit. Por pas 25 vitesh me ngjarje eksodi masiv të shqiptarëve jashtë vendit, lindjet pësuan rënie drastike me 60% më 2015.

Duke parë trendin historik të lindjeve që nga vitet 1991 shihet një lidhje e qartë me emigracionin. Lindshmëria ra sistematikisht në vitet 1992, 1993 dhe 1994 të ndikuara nga vala e parë e emigracionit. Deri në vitin 1996, ishin larguar nga vendi mbi 600 mijë shqiptarë.

Viti i mbrapshtë 1997 shënoi eksodin e dytë më të madh të shqiptarëve me mbi 100 mijë të larguar nga vendi në një vit, hemorragji që do të vijonte edhe në vitet e mëvonshme, duke ndikuar negativisht te lindshmëria deri në vitet 2009. Më pas thuajse për pesë vite rresht pati një stabilizim të emigracionit dhe gjithashtu lindjet ndaluan rënien dhe nisën të rriten deri në vitin 2015. Por fenomeni i lindshmërisë së ulët është rikthyer frikshëm në dy vitet e fundit, sidomos në gjashtëmujorin e parë të këtij viti, duke shënuar rënie me 22%, në raport me 6 mujorin e parë 2015, më e larta në të gjitha vitet e tranzicionit. Edhe në raport me 6 mujorin e dytë 2016 rënia ka qenë me ritme katastrofike, prej 28.9%. Nëse vazhdohet me këto ritme rënie, shifrat do të rezultojnë katastrofike.

Që nga viti 1960 indeksi sintetik i fekondimit (numri i lindjeve për një grua) ka pësuar rënie të vazhdueshme. Ky indeks, në vitin 1960, ishte mjaft i lartë, më shumë se 5 fëmijë për një grua të grup-moshës riprodhuese, ndërkohë që në vitin 2014 ky indeks është ulur në 1.78 fëmijë për një grua dhe së fundmi është 1.6. Instituti i Statistikave referon se ky tregues është mjaft domethënës, pasi ka të bëjë me riprodhimin e popullsisë. Sipas Projeksioneve të Popullsisë bazuar në Censusin e Popullsisë dhe Banesave të vitit 2011, indeksi i fekondimit do të vazhdojë të bjerë, gjë e cila tregon vazhdimin e procesit të plakjes së popullsisë. Mosha mesatare e popullsisë banuese është rritur nga 30,6 vjeç në 2001 në 36.6 vjeç në vitin 2015.

Arsyet

Demografja Majlinda Nesturi thotë se arsyet e rënies së lindshmërisë janë të shumta, por tri prej tyre janë kryesore. E para është emigracioni i lartë i popullsisë në moshë fertile; e dyta rritja e moshës mesatare të martesës si te femrat ashtu dhe te meshkujt dhe arsyeja e tretë, përdorimi i metodave të planifikimit familjar.

Por ajo shton se ka disa arsye që lidhen edhe me dinamikën e zhvillimit të familjeve që janë baza e lindshmërisë, si martesa e vonë dhe divorcet ose refuzimi për të shkuar në martesë.

Nesturi thotë se, pas vitit 2001 vihet re një trend në rënie i numrit të martesave deri në 2009. Zhvendosja drejt moshës më të vjetër për martesë konfirmohet edhe nga llogaritjet e mesatares së moshës për martesë. Nesturi thotë se mosha mesatare në martesë tregon rritje të lehtë nga 27,7 në vitin 2007 në 29,5 vjeç në vitin 2014 për meshkujt dhe nga 22,4 në 24 vjeç për femrat. Kjo rritje është më e dukshme për meshkujt sesa për femrat.
Gjithashtu numri i divorceve është rritur. Numri absolut i divorceve në Shqipëri ka shënuar një rritje nga 2.5 mijë në 2001 në 4.2 mijë në 2014.

Nesturi shpjegon se kjo shtyrje e martesës ndoshta është e lidhur me rëndësinë e karrierave paralele, si vazhdimësia e arsimit, zhvillimet në gjetjen e një pune të përshtatshme në tregun e punës dhe ndikimi i përvojave të migracionit gjatë fazës së jetës të të rinjve të rritur. Gjithashtu ka mundësi që forma të tjera të jetesës, ndryshe nga martesa, të bëhen më të zakonshme. Një mundësi është që bashkëjetesa pa martesë të fitojë terren, siç tregohet për shembull, nga Anketa Demografike dhe e Shëndetit 2008-‘09.

Në BE, në vitin 2006, pothuajse 30% e grave të moshës 15-29 vjeç dhe 18% e meshkujve të kësaj grup-moshe kanë jetuar në bashkëjetesa konsensuale jashtë martese. Shtyrja e martesës dhe përqindjet më të larta të atyre që mbeten beqarë përtej moshës 40-vjeçare tregon gjithashtu që parimi i martesës universale do të braktiset dhe që një përqindje në rritje e personave mund të zgjedhin vullnetarisht që të jenë të pamartuar.

Në këtë drejtim, shoqëria shqiptare mund të ndjekë vende të tjera europiane në trajektoren e Tranzicionit të Dytë Demografik dhe ndoshta do të shohë një variacion më të madh të formave të jetesës, ku të rinjtë do të jenë pararendësit. Edhe në modele të tjera martese, Shqipëria përballet me ndryshime sociale. Të rinjtë e martuar janë të ekspozuar ndaj rrezikut të divorcit vetëm për një kohë të shkurtër, por përqindja e të rriturve të rinj që janë të ndarë ose të divorcuar është rritur ndjeshëm në terma relativë. Mes 25-29-vjeçarëve, kjo përqindje është dyfishuar në 1.4% në intervalin e fundit ndërmjet Censuseve dhe ka mundësi të bëhet edhe më e dukshme në të ardhmen e afërt.

Gjirokastra dhe Vlora, më të goditurat

Lindshmëria ka pësuar rënie drastike në të gjitha qarqet e vendit në gjashtëmujorin e parë, por më drastik fenomeni ka qenë në qarqet e Gjirokastrës dhe të Vlorës. Nga të dhënat e INSTAT rezulton se numri i lindjeve në qytetin jugor të Gjirokastrës ra me 43.2%, ndjekur nga Vlora me 33.5%, dhe Fieri me 31%. Numri i lindjeve pësoi rënie dyshifrore në të 12 qarqet e vendit, me një mesatare 27%. Ekspertët e Institutit të Statistikave, në projeksionet e tyre për popullsinë deri në vitin 2031, kanë parashikuar pesë lloje të ndryshme të ecurisë demografike në 12 qarqet e vendit. Në Tiranë, Vlorë dhe Durrës, stabilizimi ose rritja e popullsisë pritet të nxitet nga migrimi i brendshëm, si dhe nga emigrantët e kthyer në rastin e Vlorës. Grupi i dytë përbëhet nga Kukësi dhe Dibra, që pavarësisht nga një tejkalim në diferencën e lindjeve kundrejt vdekjeve, do të provojnë rënie të fortë të popullsisë për shkak të balancës shumë negative të migrimit të brendshëm që përfaqëson të paktën trefishin e emigrimit jashtë. Berati dhe Fieri formojnë grupin e tretë. Pavarësisht një niveli negativ të rritjes natyrore, zvogëlimi i popullsisë në këto qarqe do të vijë kryesisht nga migrimet e brendshme dhe ato ndërkombëtare. Grupi i katërt përfshin Korçën dhe Gjirokastrën, të cilat janë të prekura njësoj nga rënia natyrore në nivele negative, për shkak të migrimeve ndërkombëtare dhe të brendshme. Lezha, Elbasani dhe Shkodra formojnë grupin e fundit të karakterizuar nga një tendencë drejt një numri të balancuar të lindjeve dhe vdekjeve. Rënia demografike deri në vitin 2031 nxitet kryesisht nga migrimi ndërkombëtar.

Kushtet ekonomike nuk favorizojnë

Përgjithësisht, kushtet materiale të jetesës së të rinjve shqiptarë janë përmirësuar gjatë dekadave të fundit, edhe pse sipas standardeve europiane, kushtet janë të këqija. Sipas të dhënave të Anketës për Matjen e Nivelit të Jetesës 2012, nga INSTAT, rreth 15% e të rinjve të moshës 15 deri në 29 vjeç jetojnë në kushte që janë të pamjaftueshme për të prodhuar nivelin minimal të mirëqenies materiale. Edhe pse nuk ka në dispozicion statistika të krahasueshme me të shkuarën, ka mundësi që përqindja e të varfërve të ketë rënë krahasuar me dekadat e mëparshme.

Për shumë të rinj, emigracioni shërben si një valvul sigurie për presionin e papunësisë në nivele të larta në Shqipëri. Rinia shënon një fazë në jetë ku ndodh tranzicioni nga arsimi në punësim. Kjo tashmë paraqet sfidë në kushtet e favorshme të tregut të punës, por edhe më shumë në tregun e punës të Shqipërisë në vitet 1990 dhe më tej. Gjithashtu, punësimi edhe në Shqipëri, edhe jashtë vendit, është ndikuar negativisht nga kriza ekonomike që në 2008, e cila goditi fort punësimin e të rinjve. Të papunët deri në 30 vjeç janë mbi 31%.

Përveç papunësisë, një shtesë prej 14% e forcës së punës së të rinjve është e nënpunësuar, punon në punë që nuk janë mjaft produktive dhe shpërblyese. Së bashku me të papunët, kjo rezulton në 36% të forcës së punës së të rinjve ose 142 mijë persona, të cilët nuk janë në punësim fitimprurës. Gjithashtu, analiza e tranzicionit të tregut të punës tregon që në vitin 2011, 58% e të gjithë të rinjve ka përjetuar tranzicionin nga inaktiviteti në tregun e punës, por vetëm 9% kanë bërë edhe tranzicionin për në punë të denjë.

INSTAT konfirmon se një përqindje e madhe (63%) e të rinjve është e papunë prej një kohe të gjatë, kjo shifër është më e lartë se në çdo vend të BE-së dhe kërkon vëmendje të veçantë nga politikëbërësit. Kërkime empirike tregojnë që kohëzgjatja e papunësisë ndikon negativisht në mundësinë e gjetjes së një pune (të re), sepse nënkupton humbjen e aftësive të fituara dhe personi bëhet më pak tërheqës për punëdhënësit e mundshëm. Veçanërisht e rëndësishme për të rinjtë e papunë është fakti që papunësia e zgjatur në fillim të karrierës së dikujt mund të reduktojë përgjithmonë fitimet e ardhshme, të ulë mundësitë për punë dhe të vonojë fitimin e aftësive të çmuara në punë. Marrëdhënia ndërmjet aftësisë për punë dhe nivelit të arritur arsimor është mjaft komplekse. Arsimi ka pasur pak ndikim te papunësia për të rinjtë meshkuj, por arsimi i lartë duket se ka ndikim negativ për femrat e reja. Një studim i INSTAT për gjendjen ekonomike të të rinjve thotë se, arsimi i avancuar nuk është garanci për të gjetur punë, ose për të rritur pritshmëritë e punësimit përtej niveleve realiste. Kjo ngre pyetjen se deri në çfarë mase arsimi i lartë orientohet në mënyrë të efektshme drejt nevojave të tregut të punës. Kjo çështje theksohet më tej nga niveli i lartë i mospërputhjes së aftësive, që ndodh kur një person ka kualifikime arsimore më të larta ose më të ulëta sesa niveli që i caktohet punës së personit. Norma e mospërputhjes për punëtorët e rinj të arsimit të lartë ka rezultuar tepër e lartë në 34% në vitin 2011, sipas INSTAT. Meqë ky është grupi me arsimin më të lartë, mospërputhja nënkupton që personat janë të mbikualifikuar për punën e tyre. Këto norma të larta mospërputhjeje janë tregues ose i tregjeve të punës me papunësi të lartë ose përputhje e keqe ndërmjet atyre që dalin nga sistemi arsimor dhe kërkesës së tregut të punës ose kombinim i të dyjave, sugjeron studimi i ekspertëve demografëve të INSTAT.

Emigracioni masiv i të rinjve

Rënia në pikiatë e fekondimit është rrjedhojë edhe emigracionit të lartë të vitit të kaluar. Demografja Majlinda Nesturi thotë se një ndër faktorët kryesorë të rënies së lindjeve këtë vit lidhet me emigrimin.

Një valë emigracioni prej më shumë se 100 mijë personash përfshiu vendin vitin e kaluar, nga të cilët 67 mijë persona azilkërkues në BE, 80% e të cilëve ishin nga 0-35 vjeç, grup-moshë që sjell mbi 90% të bebeve në jetë. Qendra kërkimore “Pew Research”, që ka përpunuar të dhënat e Eurostat për emigracionin në vendet e BE në vitin 2015, tregoi se 80% e azilkërkuesve shqiptarë ishin nën 35 vjeç.

Sipas të dhënave, 31% e azilkërkuesve shqiptarë në vitin 2015 ishin femra të moshës 0-34 vjeç, ndërsa 49% ishim meshkuj të kësaj grup-moshe. Shifrat tregojnë për një emigracion në masë të familjeve të reja. Shqipëria e ka shumë të lartë dhe përqindjen e fëmijëve që ikin me prindërit e tyre, teksa grup-mosha 0-17 vjeç zinte 34% të totalit të azilkërkuesve. Në vlerë absolute, rezulton se rreth 23 mijë fëmijë e adoleshentë (nga zero deri në 17 vjeç) kanë kërkuar azil në Europë gjatë vitit të kaluar.

Studimi tregon se nga vendet aziatike emigrojnë kryesisht meshkujt vetëm, ndërsa nga vendet në zhvillim të Europës, ku përfshihet edhe Shqipëria, emigrojnë përgjithësisht familjet.

Të dhënat tregojnë se azilkërkuesit nga vende si Rusia, Serbia, Ukraina dhe Shqipëria kanë tendencë për t’u zhvendosur si familje.

Në projeksionet afatgjata të popullsisë shqiptare, INSTAT parashikonte sipas të gjithë skenarëve që emigracioni të ishte 100-300 mijë persona deri më 2030. Mirëpo ky fenomen u përkeqësua në vitin e fundit, duke kaluar edhe parashikimet më pesimiste.

Sipas të dhënave të Eurostat, numri i azilkërkuesve nga Shqipëria është rritur me 439%, duke arritur në rreth 67 mijë në vitin 2015, nga 12.2 mijë që ishin një vit më parë. (Raporti: Shqipëria dhe Kosova kryesojnë azilkërkuesit nga Europa).

Këtu janë të përfshirë vetëm individët e regjistruar si azilkërkues në vendet e BE-së, ndërsa numri total i të larguarve (jo vetëm në BE, por dhe në SHBA) është vështirë të matet, por gjithsesi ai është më i lartë se 67 mijë.
Rritja e numrit të të ikurve në vitin 2015 pritet të japë ndikim të ndjeshëm në ekonomi, duke u bërë jo vetëm një element për uljen e potencialit të rritjes ekonomike të vendit dhe konsumit, por dhe një mungesë direkte në ofertën e krahut të punës në Shqipëri.

Ashtu si për lindshmërinë, të rinjtë janë nxitësit kryesorë të migracionit, të brendshëm dhe ndërkombëtar. Heqja e barrierave ndaj emigracionit, trazirat sociale në vitet 1990, papunësia e lartë dhe mundësi më të mira për punë dhe studime jashtë vendit gjenerojnë një fluks të vazhdueshëm emigracioni më së shumti drejt Greqisë dhe Italisë. Censusi i vitit 2011 tregoi që emigracioni ka qenë faktori më i rëndësishëm për humbjen neto të popullsisë me 269 mijë persona, ndërmjet vitit 2001 dhe 2011, të shprehur në përqindje si 8.8% e popullsisë në vitin 2001. Gjatë kësaj periudhe vlerësohet që 482 mijë shqiptarë kanë ikur nga vendi. Ashtu siç ndodh zakonisht në migracion, grup-mosha që u përfshi më shumë në përvojën e migracionit është ajo e të rinjve të rritur. Numri total i të rinjve që kanë emigruar në periudhën ndërmjet censuseve 2001-2011 vlerësohet 225 mijë persona dhe grup-mosha 20-24 vjeç dhe 25-29 vjeç ka më shumë emigrantë sesa çdo grup-moshë tjetër. Por fenomeni i është kthyer furishëm dy vitet fundit. Megjithatë, arsyet ekonomike për emigracionin mbizotërojnë ende mes grave dhe burrave. Në Censusin e vitit 2011, këto janë përcaktuar si arsyet kryesore për 74% të të rinjve që kanë ikur nga shtëpia për të shkuar jashtë shtetit.

20% e grave nuk e zëvendësojnë vetveten

Demografët e INSTAT në matjet e fundit për zhvillimet demografike në vend kanë gjetur se 20% e grave të sotme nuk e zëvendësojnë vetveten me këto ritme lindshmërie.

Niveli i lindshmërisë në Shqipëri është dukshëm më i ulët se niveli i zëvendësimit, d.m.th numri mesatar i fëmijëve që një gruaje do t’i duhet të lindë për të zëvendësuar veten duke lindur një vajzë e cila duhet të jetojë moshën e saj të riprodhimit.

Aktualisht, në një indeks mesatar një grua lind 0,80 vajza. Kjo do të thotë se aktualisht, gratë nuk arrijnë “të zëvendësojnë vetveten” me 20%./monitor