Siguria e Internetit: Si të mbrojmë fëmijët gjatë lundrimit online

Është gjithmonë e vështirë që qëndrosh në të njëjtin hap me teknologjinë, veçanërisht kur je një prind që përpiqesh të ruash sigurinë e fëmijëve në botën dixhitale nga krimi kibernetik, joshjet seksuale, mediat sociale e të tjera.

Sipas studimeve të fundit në Britani, ka rezultuar se 1 në çdo 7 fëmijë është vënë nën presion në internet me anë të videove e fotove të papërshtatshme, dhe rreth 70% e minoreneve kanë parë imazhe ose video të ndaluara për moshën e tyre. Për të ndihmuar në vetë besimin e prindërve për mbrojtjen e fëmijëve të tyre online, kemi hartuar një listë me këshilla praktike:

Përdorni teknologjitë e filtrimit të faqeve të internetit, ose opsionin safe mode. Shumica e shërbimeve online kanë opsionet e tyre të privatësisë ose safe mode, prandaj është e rëndësishme që këto të jenë të aktivizuara për fëmijën tuaj. Filtrimet mund të bllokojnë faqet e dëmshme, lojra të kufizuara për grupmosha të ndryshme, forume, dhoma chat-i, apo çdo gjë që ata mund të zgjedhin.

Monitoroni historinë e kërkimeve të fëmijës në internet në mjetet që ata përdorin. Nuk është nevoja që ju të bëheni polici i shtëpisë në lidhje me internetin, pasi e mjaftueshme është të kontrolloni historinë e faqeve të frekuentuara nga fëmija juaj në fund të ditës. Mënyra më e thjeshtë është të krijoni një llogari të dedikuar apostafat për fëmijën tuaj në kompjuterin familjar apo në celular. Vetëm kujdes se ata mund të mësojnë të fshijnë gjurmët e tyre prandaj opsioni nuk është tërësisht i sigurtë.

Lejoni fëmijët vetëm në pajisje ku ju mund t’i ndiqni. Kjo varet shumë nga mosha e fëmijës tuaj, por për më të vegjlit këshillohet që ata të përdorin kompjuterin ose tabletin që mund të monitorohet nga një i rritur. Së bashku me teknologjinë e filtrimit të rrjetit, kjo mund të jetë një mënyrë efektive për të vëzhguar aktivitetin e fëmijës.

Flisni për internetin dhe jini të hapur për rreziqet që mund të hasen. Në botën e internetit edhe një burrë 50-vjeçar mund të hiqet si në vajzë 15-vjeçare, ndërsa chatroom-et mund të përdoren për vjedhjen e informacioneve personale. Por gjithsesi kompjuteri është një mjet i mirë për detyrat e shtëpisë dhe për të mësuar mbi botën, prandaj prindërit dhe fëmijët duhet të komunikojnë për atë që interneti është apo nuk është, duke njohur dhe aspektet e pista të tij.

Duhet të dini se fëmija juaj mund të jetë më i shkathët sesa ju sa i përket internetit. Prindërit duhet të kenë parasysh se brezi i fëmijëve të sotëm është mësuar natyralist me koncepte si Snapchat, Facebook, realiteti virtual dhe lojrat online, ku gjërat janë falas dhe informacionet personale vlejnë pak. Prandaj prindërit duhet ta pranojnë se ata mund të mbështeten tërësisht te teknologjia për të zgjidhur problemet e tyre.