Skandal/ Dënohen me kusht sulmuesit e Selës dhe Zaevit

 

Nëntë të akuzuarit për trazirat në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë më 27 prill morën dënim me kusht.

Tetë të akuzuarve në seancën e sotme në Gjykatën penale në Shkup u është shqiptuar dënim me kusht prej gjashtë muajve nëse nuk e përsërisin veprën në afat prej një viti e gjysmë, ndërsa vetëm njërit prej të akuzuarve i është shqiptuar dënim me kusht prej 1,6 vitesh nëse në afat prej pesë viteve nuk bën ndonjë vepër të njëjtë penale.

Në seancën e sotme të gjithë të akuzuarit e pranuan fajin për veprën për të cilën janë ngarkuar, gjegjësisht “për pjesëmarrje në masë që do të kryejë vepër penale dhe pjesëmarrje në masë që do të parandalojë personin zyrtar në kryerjen e veprimeve zyrtare”.

Gjykata paraburgimin ua pezulloi edhe të akuzuarve të cilëve paraprakisht u është shqiptuar masa e tillë.

Nëntë të akuzuarit sot para Gjykatës e pranuan fajin dhe shumica prej tyre u prononcuan se kanë qenë në vendin e gabuar në kohë të gabuar.

Për dhunën në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë dyshohen 30-të persona.

Në ngjarjet e 27 prillit u lënduan disa deputetë në mesin e së cilëve më rëndë u lëndua lideri i Aleancës për shqiptarët, Ziadin Sela.

MPB kumtoi se është duke punuar në gjetjen e të gjithë personave të dyshuar dhe për zbardhjen e plotë të ngjarjeve.

Seanca e parë gjyqësore duhej të mbahej më 18 maj, por u anulua për sot për shkak të mosprezencës të njërit prej të akuzuarve, i cili duhet të sillet prej arrestit shtëpiak.

Para Gjykatës sot ishte edhe një grup i mbështetësve për të akuzuarit.