Skandal: VMRO cakton emrat e ministrave të BDI-së në qeverinë e Zaevit?!

Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) veçmë ka caktuar emrat e kuadrove që do bartin poste të ministrave në qeverinë e ardhshme, kanë njoftuar burime diplomatike.

Bëhet fjalë kryesisht për të njëjtat emra që kishin marrë vizë të jenë ministra në qeverinë VMRO-DPMNE, e që ishte dakorduar më 29 janar me Gruevskin, por që dështoi për shkak të presionit të madh ndërkombëtar, kanë thënë të njëjtat burime diplomatike.

Për shkak të aferave të shumta gjatë bashkëqeverisjes me VMRO-DPMNE-në, diplomatët kanë thënë se BDI futet në qeveri jo si përfaqësuese e interesit shqiptar, por si përfaqësuese dhe mbrojtëse e interesave të VMRO-DPMNE-së. Të njëjtin rol ata thonë se do ta ketë edhe Aleanca për Shqiptarët, nëse bëhet pjesë e qeverisë, duke rikujtuar se lideri i APSH-së, Zijadin Sela, njëjtë si Ali Ahmerti, ka qenë pjesë e qeverisjes së Gruevskit, me të vetmin dallim që ai ka qenë në periudhën 2006-2008, si funksionar i PDSH-së.

“Me BDI-në e Ali Ahmetit VMRO-DPMNE ishte partnere në qeveri 8 vite. Me Zijadin Selën dy vite në periudhën 2006-2008, kur Sela ishte funksionar në qeverinë VMRO-DPMNE-PDSH. Zaev do ta ketë shumë vështirë me Ahmetin dhe Selën si partnerë koalicioni të realizojë premtimet e dhëna para qytetarëve se do të dënojë krimet e VMRO-DPMNE-së dhe se do të konfiskojë pasurinë që kanë vjedhur. Në momentin që Zaev do të prekë seriozisht interesin e udhëhqësisë së VMRO-DPMNE-së, Ahmeti dhe Sela do t’ia kthejnë shpinën”, kanë thënë këto burime për “fol.com”.

Ata përmendin edhe emra konkretë të kuadrove shqiptare që kanë marrë dritë jeshile prej VMRO-së. Të njëjtat burime thonë se VMRO-DPMNE preferon që kryetar i Kuvendit të zgjedhet Zijadin Sela, ministre e punëve të jashtme Teuta Arifi, kurse Artan Grubi preferohet në ndonjë drejtori të rëndësishme që deri tani është udhëhequr nga kuadër i VMRO-DPMNE-së, ku do të ketë detyrë të shlyejë gjurmët e malverzimeve eventuale që janë bërë aty.

VMRO-DPMNE është kundër përfshirjes së kuadrove nga krahu ushtarak i BDI-së në poste ministrore, por Ahmeti mund të lëshojë pe dhe të emërojë dikë edhe nga ky fraksion joformal, për shkak të presionit të brendshëm që ka në parti.