Skot: Kosova në të ardhmen mund ta ketë ushtrinë, por në pajtim me Kushtetutën

 

Ambasadori i SHBA-ve në Serbi, Kajl Skot ka thënë të enjten në Beograd, se pret që në të ardhmen të formohet ushtria e Kosovës, por është e rëndësishme që kjo të bëhet në pajtim me Kushtetutën e Kosovës.

“SHBA gjithmonë kanë folur për bashkëpunimin me Forcat e Sigurisë së Kosovës dhe presin që në të ardhmen do të ekzistojë edhe ushtria e Kosovës, por kjo duhet bërë përmes rrugës kushtetuese të Kosovës”, ka thënë diplomati amerikan.

I pyetur rreth zgjidhjes  eventuale të Ramush Haradinajt për kryeministër të ri të Kosovës, diplomati Skot tha se nuk përgjigjet në pyetje hipotetike.

Ai ka theksuar se politika amerikane mbetet e pandryshuar në Ballkan me ardhjen e administratës së re, pasi politika amerikane bazohet në interesa dhe jo në personalitete dhe shtoi se Ballkani nuk ka figuruar aspak në kampanjën e kandidatëve presidencialë, gjë të cilën e ka vlerësuar si të mirë, pasi kjo tregon se SHBA nuk e konsideron Ballkanin si rajon krize.

Si bazë të politikës amerikane në rajon, ambasadori Skot ka përmendur mbështetjen për pavarësinë e Kosovës, mbështetje për unitaritetin e Bosnjë dhe Hercegovinës dhe mbështetje ndaj zgjedhjes së qeverisë së re maqedonase, transmeton KosovaPress.