Skulpturat më të famshme të botës

Skulpturat më të famshme të botës

Një listë me veprat e famshme të kësaj forme arti, sipas vlerësimeve të specialistëve dhe njerëzve që kanë pasur rastin t’i shohin nga afër. Nga e dhjeta te e para

Davidi i bronztë

Punuar në vitin 1440 nga Donatello (1386 – 1466), Davidi i bronztë është një nga skulpturat më të famshme të ditëve të sotme. Dallon si puna e parë e pambështetur në bronz të përpunuar gjatë periudhës së Rilindjes dhe është skulptura e parë mashkull që qëndron nudo në këmbë që nga antikiteti. Përfaqëson Davidin e ri me një buzëqeshje enigmatike, që pozon me këmbën mbi kokën e ashpër të Goliathit pikërisht pasi ka vrarë gjigandin. I riu rri lakuriq përveç kapeles dhe çizmeve, duke mbajtur në dorë shpatën e Goliathit. Ka shumë spekulime për kohën kur është krijuar, por datat e sugjëruara variojnë mes viteve 1420 dhe 1460, edhe pse data ekzakte nuk dihet.

Statuja e Savannah, vajzës së zogjve

Skulptura njihet me emrin “Vajza e zogjve” dhe është krijuar në vitin 1936 nga skulptorja Sylvia Shaw Judson (1897 – 1978) në Liqenin Forest, Ilinois. E arriti famën kur u bë kopertina e romanit “Mesnatë në kopshtin e së mirës dhe të keqes” në vitin 1994. U shkrua nga Radgale, në shtëpinë verore të familjes së saj. Është imazhi i një vajze të re, të veshur me një fustan të thjeshtë dhe me një shprehje fytyre të trishtuar e ëndërrimtare, me kokën e kthyer në të majtë. Ajo qëndron drejt, bërrylat i ka të mbështetur në bel dhe mban dy vazo të sheshta në dy duar. Vazot shpesh janë përshkruar nga vizitorët si “ushqyesit e zogjve”.

Hedhësi i diskut

Hedhësi i diskut ose Discobolus është një origjinal i humbur, i bronztë i Greqisë së lashtë. Skulptori është akoma i panjohur. Discobolus u përfundua rreth fundit të periudhës së ashpër 460 – 450 para Krishtit. Njihet përmes kopjeve të shumta romake, si ato në mermer me madhësi origjinale, por edhe ato më të vogla në bronz si Palombara Doscopolus. Siç ndodh gjithnjë me atletët grekë, edhe hedhësi i diskut është krejt nudo.

 

Puthja

“Puthja” është një skulpturë e mermertë e vitit 1889 nga skulptori francez, Auguste Rodin (1849 – 1917). Kjo skulpturë ka një histori të veçantë, përshkruan fisniken italiane të shekullit XIII të pavdekshme në ferrin e Dantes, e cila dashurohet me vëllain e të shoqit Xhovani Malatesta, Paolon. Duke rënë në dashuri si Gjinevra me Lançelotin, çifti zbulohet dhe vritet nga burri i Françeskës. Në skulpturë, shihet libri në duart e Paolos. Buzët e dashnorëve nuk preken në skulpturë, duke dhënë idene e diçkaje që u ndërpre dhe ata u vranë me buzë që akoma s’ishin prekur. Kur kritikët panë për herë të parë skulpturën në vitin 1887, sugjëruan ndonjë titull më pak të përgjithshëm sesa “Puthja”.

 

Hermesi dhe Dionisi fëmijë

Hermesi dhe Dionisi fëmijë, njohur edhe si Hermesi i Praksitelës ose Hermesi i Olimpit, është një skulpturë greke e lashtë e Hermesit dhe Dionisit fëmijë, zbuluar në vitin 1887, në rrënojat e Tempullit të Herës, në Olimp. Është e shfaqur në Muzeun Arkeologjik të Olimpit. Përgjithësisht i atribuohet Praksitelëve dhe daton në shekullin IV para Krishtit, bazuar në një shënim të udhëtarit grek të shekullit II Pausanias dhe ka qenë një kontribut i madh në definimin e stilit praksitelian. Atribuimi i saj është sigurisht një kundërshti e ashpër mes historianëve të artit. Skulptura ka gjasë të mos jetë një ndër punët më të famshme të Praksitelit, pasi nuk është gjetur akoma një replikë e ngjashme. Evidencat e dokumentuara e lidhin me punën e Praksitelit thjesht me përmendjen kalimthi nga udhëtari i shekullit II para Krishtit, Pausanias.

 

Zonja Drejtësi

Skulptura e zonjës drejtësi është një nga skulpturat më të njohura në gjithë botën. Kjo statujë nuk i atribuohet ndonjë artisti në veçanti, por në fakt stolis kaq shumë dyer gjykatash në botë, saqë është bërë një ndër më të famshmet e më populloret. Kjo skulpturë ka shumë emra, duke përfshirë këtu Peshoren e Drejtësisë ose Drejtësinë e Verbër, por më së shumti njihet si Zonja Drejtësi. Statuja daton që prej Romës e Greqisë së lashtë, si perëndia e ligjit dhe drejtësisë.

 

Mëshira (La Pieta)

Krijuar nga Mikelanxhelo (1475 – 1564), Mëshira paraqet Virgjëreshën Mari që mban të birin, Jezu Krishtin në krahë. Ishte në të njëzetat e veta kur iu tha në vitin 1498 që të bënte një skulpturë me përmasa reale të Virgjëreshës Mari që mban të birin në krahë. Për dy vjet, nga një rrasë e thjeshtë mermeri, Mikelanxhelo krijoi një nga skulpturat më të bukura që është parë ndonjëherë.

Mendimtari

Sërish nga Auguste Rodin vjen skulptura tjetër e famshme, “Mendimtari”. Fillimisht e quajtur “Poeti”, ishte pjesë e komisionit të Muzeut të Arteve Dekorative të Parisit për të pasur një portik monumental si hyrje të muzeut. Rodin e bazoi veprën e tij në “Komedinë hyjnore” të Dantes dhe e quajti portikun “Portat e Ferrit”. Secila statujë përfaqëson një nga personazhet e poemës epike. “Mendimtari” fillimisht mendohej të paraqiste Danten para portave të Ferrit, duke peshuar poemën e madhe. (Në skulpturën përfundimtare, një statujë në miniaturë ulet para portash, duke peshuar fatin e ferrtë të atyre poshtë saj.) Skulptura është nudo, meqë Rodin donte një figurë heroike sipas traditës së Mikelanxhelos, për të përfaqësuar intelektin, po aq sa poezinë.

Afërdita e Milo-s

Skulptura “Venus de Milo” u krijua mes viteve 100 dhe 130 para Krishtit. Besohej se përfaqësonte Afërditën (Venerën e romakëve), perëndinë greke të dashurisë dhe bukurisë. Është një skulpturë e mermertë, pak më e lartë sesa përmasat reale, 203 cm e lartë. Krahët dhe plintat origjinale kanë humbur. Nga një shkrim në një prej plintave besohet të jetë punë e Aleksandrit të Antiokisë; më herët i ishte atribuuar Praksitelit. Tashmë ndodhet në Muzeun e Luvrit, në Paris. Krejt në mënyrë të pabesueshme, statuja u zbulua aksidentalisht në arën e një fermeri.

 

Davidi

“Davidi” është kryevepra e skulpturave të Rilindjes, krijuar mes viteve 1501 dhe 1504, nga artisti italian Mikelanxhelo. Është 5,17 metra e lartë kjo statujë e mermertë e një burri nudo që qëndron në këmbë. Statuja përfaqëson Davidin, personazhin biblik, një subjekt i parapëlqyer në artin e Firences. Fillimisht qe menduar të qëndronte mbi fasadën e Katedrales së Firences e më vonë statuja zuri vend në Pallatin e Fisnikëve, selia e qeverisë vendore në Firence, ku dhe u shfaq më 8 shtator 1504. Prej natyrës që prezanton personazhi, shpejt u kthye në simbolin e mbrojtjes së të drejtave civile në Republikën Fiorentine, si një qytet-shtet i pavarur e i rezikuar nga të katërta anët prej shteteve më të fuqishme rivale dhe nga hegjemonia e familjes De Mediçi. Sytë e Davidit me një shkëlqim paralajmërues, kthehen nga Roma. Statuja është lëvizur tanimë në Galerinë e Akademisë në Firence që prej vitit 1873 dhe është zëvendësuar tek vendi origjinal me një replikë.