Sot afati i fundit per formimin e qeverise

Sot skadon afati kur presidenti i Republikës së Maqedonisë, Gjorge Ivanov duhet t’ia ndajë mandatin kandidatit të partisë për formimin e qeverisë, përkatësisht partive që kanë fituar numër më të madh mandatesh në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të mbajtura më 11 dhjetor, të vitit të kaluar.

Përbërja e nëntë parlamentare e Maqedonisë, e cila ka 120 të zgjedhur të popullit, u konstitua më 30 dhjetor të vitit të kaluar. Më shumë deputetë ka koalicioni i kryesuar nga VMRO-DPMNE 51. Koalicioni i kryesuar nga LSDM ka 49 deputetë, BDI 10, Besa 5, Aleanca për shqiptarët 3 dhe PDSH 2. Në këtë përbërje parlamentare nuk ka të zgjedhur të popullit nga diaspora për shkak të numrit të pamjaftueshëm të votave të fituara.

Mandatari në afat prej 20 ditëve nga dita e besimit të mandatit, Kuvendit i parashtron program dhe e propozon përbërjen e qeverisë. Qeverinë, me propozim të mandatarit dhe në bazë të programit, e zgjedhë Kuvendi me shumicë votash nga numri i përgjithshëm i deputetëve.