Spiunia që kishte në dorë jetën e Castros: Nuk e vrava, sepse e doja

Pak kanë jetuar momente nga të cilat mund të ndryshonin rrjedhën e historisë. Marita Lorenz ishte një ndër to. Ishte gruaja që kishte në dorë Fidel Castron, që mund t’i jepte fund jetës së tij duke ndryshuar rrjedhën politike të Kubës, por nuk e bëri.

E lindur në Gjermani, Marita lindi në një kamp nazist. Në vitin 1959 ajo udhëtoi drejt Kubës ku takoi Fidel Kastron, me të cilin ra në dashuri.

Ajo sot është 76 vjeçe dhe kohë e fundit ka publikuar një libër me kujtime me titull: “Unë, spiunia që dashuroi komandantin”. Lorenz rrëfen se ka qenë e dashura sekrete e Castros për tetë muaj, për t’u bërë më pas agjente sekrete e CIA-s. Gjermanja rrëfen se historia me Fidelin nisi kur një anije e babait të saj mbërriti në Havana në fillim të vitit 1959.

“Pashë një grup të rinjsh me uniforma ushtarake. Më ra në sy menjëherë më i madhi prej tyre. Mbante në dorë një puro. E pyeta sesi quhej, ‘Yo soy Cuba. Commandante Fidel Castro’”, tregon ajo, duke shtuar se vetëm pak minuta më vonë, me pretekstin se do t’i tregonte anijen, ata të dy u gjendën në kabinë dhe aty shkëmbyen puthjen e parë.