Standardi “Hallall”, subvencione për kompanitë që e implementojnë

Nga Bashkësia Fetare Islame kërkojnë që të gjitha kompanitë në vend të implementojnë standardin “Hallall” në prodhimet e tyre ushqimore.

“I bëj apel popullatës sonë, tek myslimanët tanë, te biznesmenët tanë, tek ata që kanë kompani, t’i afrohen agjencisë dhe të jenë pjesë e saj, se përndryshe kjo ka peshën ndërkombëtare botërore, ne kemi pranuar të ballafaqohemi me këtë punë dhe ka marrë një jehonë jashtëzakonisht pozitive”,- deklaroi kryetari i BFI-së, Sulejman Rexhepi.
“Sot në përmasa botërore, tregu me artikuj ushqimorë, të cilët kanë implementuar certifikatën “Hallall”, vlen diku rreth 1 trilion dollarë, derisa sektorët e tjerë, si kozmetika, turizmi dhe financat gjithsej kapin shifrat prej 3 miliard dollarësh”,- tha Murat Sajin nga Instituti ndërkombëtar për standardin “Hallall”, përcjëll Gazeta Express.

Ministria e Ekonomisë për këtë vit ka siguruar 1,4 milion denarë, me të cilat do të subvencionohen kompanitë për zbatimin dhe certifikimin e sistemit “Hallall”.

“Ministria e Ekonomisë, duke njohur rëndësinë e zbatimit të standardeve të cilësisë për subjektet e biznesit, për të siguruar mbështetje të vazhdueshme për ekonominë dhe kompanitë, për të pestin vit radhazi realizon masën – mbështetje financiare për standardin- “Hallall”, në kuadër të programit për konkurrencë, inovacione dhe sipërmarrësi. Jam veçanërisht i kënaqur që disa nga kompanitë që kanë përfituar nga kjo masë janë të pranishme sot këtu me përvojat e tyre të funksionimit të tregut të madh “Hallall””,- u shpreh ministri i Ekonomisë, Driton Kuçi.

Me këtë rast u ndanë mirënjohje për pesë kompanitë e para që kanë implementuar standardin “Hallall”, gjithashtu edhe certifikata për ato që kanë qenë pjesë e konferencës.