Suharekë: Rrahin burrin në bodrumin e shtëpisë për magji të zezë

Policia ka njoftuar se në Shirokë të Suharekës, babai me dy bijtë e tij e kishin futur një burrë në bodrumin e shtëpisë së tyre dhe e kishin rrahur me rrip.Arsyeja e kësaj rrahje është pretendimi i kësaj familje se viktima ka bërë magji të zezë njërit prej djemëve.

Viktima ka pësuar lëndime trupore të cilat janë bërë të dituara edhe nga raporti mjekësor.

Njoftimi i plotë:

Në orët e pasdites së djeshme,  një qytetar ka kërkuar ndihmën e policisë pasi që i njëjti me datën 11 tetor, rreth orës 19:00 ishte ndaluar kundërligjshëm nga tre të dyshuar, baba me dy të bijtë  në Shirokë të Suharekës. Të dyshuarit e kishin futur viktimën në bodrumin e shtëpisë së tyre dhe e kishin lidhur me një rrip e më pas e kishin torturuar fizikisht me ç’ rast i kanë shkaktuar edhe lëndime trupore për të cilat ekziston edhe raporti mjekësor. Pas rreth katër orëve, dy fqinj të të dyshuarve e kishin liruar viktimën. Ekipe policore kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë kryer procedura hetimore. Në cilësi të provës materiale është gjetur dhe sekuestruar një rrip  për të cilin dyshohet se është përdorë në rast. Pas hetimeve fillestare dyshohet se motiv i këtij rasti thuhet të jetë pretendimi e të dyshuarve se viktima i ka bërë magji të zezë njërit nga djemtë.Lidhur me rastin është informuar prokurori i shtetit i cili ka urdhëruar që të dyshuarit të ndalën nën masën e arrestit policor.