Sulm kamikaz në Turqi, 2 të vrarë e 16 të plagosur

Së paku dy persona janë vrarë dhe 16 të tjerë janë plagosur nga shpërthimi i një makine jashtë një ndërtese qeveritare në qytetin Adana të Turqisë.

Guvernatori i Adanas, Mahmut Demirtas, i tha agjencisë Anadolu se shpërthimi mund të ketë qenë sulm vetëvrasës, i kryer nga një grua.

Ai tha se shpërthimi ka ndodhur pranë hyrjes në zyrën e tij.

Omer Celik, ministër i ngarkuar me çështje të Bashkimit Evropian, e përshkroi shpërthimin si “sulm terrorist”.

Dhuna në Turqi vazhdon për më shumë se një vit. Përgjegjësinë për sulmet vdekjeprurëse e kanë marrë herë militantët kurdë, herë ata të grupit Shteti Islamik.