Sulm në televizionin shtetëror në Afganistan

Persona të armatosur kanë sulmuar ndërtesën e televizionit shtetëror afgan në lindje të qytetit Jalalabad të mërkurën dhe janë përfshirë në një përleshje të armatosur me forcat e sigurisë, tha zëdhënësi i pushtetit provincial, raporton Reuters.

“Ne mund të konfirmojmë se një numër i kryengritësve kanë hyrë në ndërtesë, mirëpo nuk dihet kush janë ata dhe çfarë objektivi kanë,” tha Attaullah Khughyani.

Ai tha se duket të kenë qenë të paktën tre sulmues, dy prej të cilëve hodhën veten në ajër, ndërsa të paktën një është ende duke luftuar.

Jalalabad është kryeqyteti i Nangarhar, krahinës lindore në kufi me Pakistanin, ku luftëtarët e Shtetit Islamik kanë krijuar një fortesë, por ka edhe një prani të fuqishme të talebanëve në rajon.

Kryengritësit që luftojnë për ta rrëzuar qeverinë e mbështetur nga Perëndimi në Kabul kanë kryer një seri sulmesh të profilit të lartë gjatë këtij viti, duke përfshirë spitalin më të madh ushtarak të Afganistanit dhe një bazë ushtarake në qytetin verior të Mazar-i-Sharif.