Sulmohet konsullata gjermane në Afganistan, 4 viktima

Konsullata gjermane në Afganistan ka qenë shënjestër e një sulmi kamikaz, ku për pasojë, 4 persona kanë mbetur të vdekur, ndërkohë që 100 të tjerë janë plagosur.

Sulmi ka ndodhur në orën 22:45 të mbrëmjes së kaluar, në Mazar-e-Sharif, në provincën veriore të Balkh, dhe sipas një zëdhënësi të provincës, asnjë nga diplomatët gjermanë nuk është lënduar. Policia vendore e ka përshkruar shpërthimin si “tepër të fuqishëm” dhe raportoi se tre oficerë të policisë ishin plagosur.

Ndërkohë, një zëdhënës i NATO-s tha se ky shpërthim kishte shkaktuar dëme masive në godinën e konsullatës, ku punonin rreth 30 persona. Talebanët kanë marrë përgjegjësinë për këtë sulm, përmes një email-i dërguar mediave afgane. Zëdhënësi i lëvizjes politike tha se shënjestra ishte konsullata, ndërkohë që Gjermanisë, ai iu referua si “pushtuesit”.

Agresorë të armatosur kanë mësyrë pas shpërthimit, duke luftuar me forcat afgane dhe gjermane të sigurisë, deri në orët e para të mëngjesit. Sulmi vjen vetëm 7 ditë pas bombardimeve ajrore të përbashkëta me NATO-n kundër talebanëve në distriktin verior të Kunduz, ku u vranë 30 civilë, 2 ushtarë amerikanë dhe 26 militantë.

Qyteti i Mazar-e-Sharif është një nga më paqësorët dhe më të zhvilluarit në Afganistan. Edhe pse talebanët janë aktivë përqark kësaj zone, ky qytet nuk është një bastion i tyre. Sulmi vë në dukje problemet e sigurisë në vend, sidomos gjatë muajve të fundit, teksa shumë zona janë përfshirë në luftime të ashpra.

Më herët gjatë këtij muaji, edhe konsullata indiane, e vendosur në qendër të qytetit Mazar-e-Sharif, u sulmua nga militantë të armatosur.