Sulmuesi i kombëtares heq dorë nga pasaporta shqiptare për të marrë atë gjermanen

Edmond Kapllani heq dorë nga nënshtetësia shqiptare për të marrë pasaportën gjermane. Ligjet e shtetit ku jeton prej 13 vitesh ia imponuan sulmuesit rekordmen të Kombëtares shqiptare (5 gola në eliminatoret për EURO 2008) të bënte këtë hap.

“Mendova për familjen, kam 13 vite në Gjermani dhe erdhi momenti që të vendosja”, thotë sulmuesi durrsak në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”.

Pas dekretit të presidentit të Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani, ish-sulmuesi kuqezi pret tashmë të marrë pasaportën gjermane, por ai zbulon se do të tentojë sërish t’i rikthehet nënshtetësia shqiptare. Për këtë, por jo vetëm, 34-vjeçari rrëfeu gjithçka.

“Problemi është se Gjermania nuk e lejon mbajtjen e dy nënshtetësive dhe për të marrë tashmë pasaportën gjermane, më duhet të heq dorë nga nënshtetësia shqiptare. Gjithsesi, unë jam konsultuar me avokatin dhe do të gjejmë mënyrën, që pasi të marr nënshtetësinë gjermane, të nis më pas procedurat për të pasur edhe atë shqiptare. Shqipëria si shtet e lejon dynënshtetësinë, kështu që mund ta rifitoj sërish”, tha ai.