Surpriza, Lorik Cana do luajë në Kosovë? Zbulohet paga

Lorik Cana ka varur këpucët në gozhdë, duke u larguar nga Kombëtarja Shqiptare dhe nuk është pjesë e asnjë ekipi. Kjo ka bërë që ekipi i Vëllazërimit të Gjakovës të mendojë për ti bërë një ofertë.

Madje donatori i vetëm i klubit kuqezi, Shkëlzen Gashi, konfirmon se është takuar me Canën, me të cilin e paralajmëron edhe një takim tjetër të shpejtë. Gashi thotë për “Zërin” se është i gatshëm t’i ofrojë yllit kosovar me famë ndërkombëtare një rrogë mujore prej 2 mijë eurosh.

Tifozët gjakovarë, “Kuqezinjtë e Jakovës”, shpresojnë që Cana t’i bashkohet Vëllaznimit, siç bënë muaj më parë tre ish-lojtarët e Shqipërisë: Armend Dallku, Debatik Curri dhe Ahmed Januzi, të cilët nënshkruan kontrata me FC Prishtinën.

Madje këtë dëshirë po e shpreh edhe kryetari i klubit kuqezi, Shkëlzen Gashi, i cili në një bisedë me gazetën “Zëri” ka konfirmuar negociatat që po i bën me legjendën e futbollit shqiptar, i cili është pensionuar nga Kombëtarja Shqiptare e po ashtu ka mbetur pa skuadër.

Përveç këtij fakti, është edhe një arsyeje tjetër që i ka shtyrë gjakovarët të shpresojnë në ardhjen e Canës në klubin e tyre. Kjo pasi ish-futbollistit i PSG-së, Olimpique Marseillet, Sunderlandit, Galatasarayt, Lazios dhe Nantes para disa vitesh nuk e kishte përjashtuar mundësinë që karrierën nga futbolli aktiv ta mbyllë në Gjakovë.

Dhe donatori i Vëllaznimit, Shkëlzen Gashi, konfirmon një takim dhe bisedë që kishte pasur muaj më parë me Canën në Shqipëri, prej të cilit takim ka dalë një fotografi, e cila tani po qarkullon nëpër rrjetet sociale.

“Ajo fotografi është bërë më moti në Shqipëri, kur jam takuar me Lorikun. Sidoqoftë, do të ishte diçka shumë e mirë sikur Lorik Cana t’i bashkohej Vëllaznimit, qoftë si futbollist, drejtor, menaxher. Pavarësisht rolit, prezenca e tij do të ishte diçka e mirë për klubin me të cilin jeton Gjakova”, tha Gashi.

Madje, ai edhe publikisht tregon ofertën për Canën. “Jam i gatshëm që Lorik Canës t’ia ofrojë një rrogë prej 2 mijë eurosh në muaj. E di që nuk është ndonjë shumë e konsiderueshme për Canën, por në Vëllaznim lojtarët kanë rroga prej nga 300 eurosh, kurse për Canën do të isha në gjendje t’i bëj rrogë prej 2 mijë eurosh”, deklaroi Gashi për “Zërin”.