Tahiri thirrje këngëtarëve: Mos bëni klipe me armë e gara makinash, model i gabuar

Ministri i Punëve të Brendshme, Sajmir Tahiri ka zhvilluar një takim me nxënës të gjimnazit të Burrelit në kuadër të nismës “Shqipëria pa armë”.

Tahiri u tha të rinjve se modeli i gangsterëve nuk është ai i duhuri.

Ministri u shpreh se disa këngëtarë bëjnë videoklipe me thirrje për dhunë duke promovuar gara me makina dhe përdorur armë, por ky nuk është modeli që duhet ndjekur.

Më tej ai tha se ka shumë njerëz që armën e kanë mbajtur sepse nuk ekzistonte shteti, por tashmë duhet të punojmë të gjithë bashkë për të bërë një shtet më të fortë, pa pasur nevojë që secili të mbajë armën për t’u mbrojtur.

Fjala e plotë e ministrit Tahiri:
Dua të them dy fjalë dhe më pas shpresoj të kemi mundësinë të bisedojmë me njëri-tjetrin, për diçka që ndoshta nuk ju duket aq e rëndësishme për momentin, por nuk është e largët dita kur do filloni të kuptoni se është shumë e rëndësishme për veten tuaj, për familjen, edhe për vendin…

Duke ju parë në fytyrë, më kujtohet dhe mua vetja kur isha në gjimnaz: 23-24 vite më parë doli si modë që dukeshe më trendy, më gangster nëse nuk e merrje fare çantën, librat, mbaje një fletore në xhep, edhe atë fletoren e lije poshtë bankës për ta gjetur të nesërmen po aty, e kështu me radhë. Dukej një tendencë e modës nëse shtyheshin kufijtë e ligjit, apo nëse nuk i përkushtoheshe aq shumë mësimeve. Dhe kjo e gjitha kishte të bënte me modelin në fakt.

E them këtë pasi edhe sot nuk është e rrallë të gjesh të rinj në moshën tuaj që për model të marrin modele të gabuara. Unë nuk kam asgjë me këngëtarët as me ata që bëjnë muzikë. Përkundrazi, i respektoj. Por sigurisht do pëlqeja më shumë ata këngëtarë që në këngët e tyre nuk i bëjnë thirrje dhunës, që në videoklipet e tyre nuk i bëjnë thirrje garave me makina apo nuk shfaqin armë. Ashtu siç jam një fan i madh i rrjeteve sociale dhe do të parapëlqeja shumë më tepër të gjithë ata që nuk i bëjnë thirrje dhunës apo armëve në profilet e tyre. Dhe është shumë e rëndësishme që këtë ta promovojmë të gjithë bashkë, ashtu siç është shumë e rëndësishme që këtë model dhe këto referenca t’i ndjekim bashkë.

Ne kemi nisur një fushatë kundër armëve, e cila pason një problem të madh që trashëgojmë prej vitit 1997. Në vitin 1997, (ndoshta sipas moshës ju takon që sapo të kishit lindur), në të gjithë Shqipërinë populli u armatos për shkak të mungesës së shtetit. Kjo histori vazhdon ende. Dhe ka shumë familje e qytetarë që mbajnë armë fshehur, diku në shtëpi, a oborr të shtëpisë, të cilat përbëjnë një problem jo të vogël jo vetëm për sot por dhe për nesër. Na duhet një përpjekje e madhe shtetërore, shoqërore, e mbi të gjitha kontributi i secilit prej jush, për të bërë gjithçka është e nevojshme që të mos kemi më armë në shtëpitë tona.

Ka shumë njerëz që armën e kanë mbajtur sepse nuk ekzistonte Shteti. Sot sfida jonë është: ejani të punojmë të gjithë bashkë për të bërë një shtet më të fortë, pa pasur nevojë që secili të mbajë armën për t’u mbrojtur.

Ka shumë njerëz që arma u ka mbetur aty dhe nuk e kanë dorëzuar për shumë arsye, njëra prej të cilave se dënoheshe nëse kishe armë. Ja përse ne kemi miratuar një ligj në Parlament, dhe nga sot e për disa kohë (30 prill 2017) nuk do të dënohen ata që e dorëzojnë në mënyrë vullnetare armën.

T’ju jap një statistikë që ndoshta ju vlen ta kuptoni. Vetëm vitin e kaluar Policia ka arrestuar mbi 1100 persona për “Armëmbajtje pa leje”, pra me armë pa leje. 1.100 persona janë realisht shumë, më shumë se 3 në ditë. Janë 1.100 njerëz të cilët do kenë probleme në të ardhmen e tyre për shkak të veprës penale që kanë kryer. Pra një gabim i momentit i kushton të ardhmen një njeriu. Por këta 1.100 janë ndërkohë dhe kambana më e madhe e alarmit për problemin që kemi dhe atë që duhet të bëjmë lidhur me armët pa leje, lidhur me domosdoshmërinë për t’u bërë të gjithë bashkë që ky të mos jetë më një problem.

Pas 20 viteve prej vitit 1997, Shqipëria nuk mund të vazhdojë më historinë e armëve. Nuk mund të vazhdojë më që për një sherr momenti dikush të marrë një armë, me pasoja të rënda për shëndetin dhe jetën e qytetarëve. Nuk mund të vazhdojë më që armët të jenë kërcënim. Ne nuk mund të vazhdojmë të jemi peng i frikës. Dhe beteja jonë më e madhe duhet të jetë kundër frikës, kundër dhunës, dhe kjo është arsyeja përse fillimisht kemi nevojë të çarmatosemi në mendje. Kemi nevojë të çarmatosemi në mentalitet, në shpirt.

E pse jo ju, si të rinj, t’i përkushtoheni dijes, librave, muzikës, kulturës, sportit, gjithçkaje tjetër përveçse dhunës. Unë nuk e di shokut apo shoqes të cilët në profilin e tyre të Facebook për shembull reklamojnë armë apo dhunë sa prej jush e vënë re apo marrin iniciativën dhe t’i thonë se kjo nuk duhet të ndodhë. Unë nuk di sa prej jush e quajnë këtë “problem”. Nuk di sa prej jush e mendojnë se duhet të përpiqemi të gjithë bashkë për të ndaluar një gjë të vogël ose që duket e tillë në atë moment, por që nesër kthehet në një problem jo pak të vogël për klasën, pallatin, lagjet, komunitetin, e mbi të gjitha për familjen e vetë njeriut.

Unë nuk dua të mbaj leksione. Por ne shumë shpesh nuk i kuptojmë pasojat e gjithçka ndodh rreth nesh. Armiku ynë më i madh është indiferenca, injorimi i disa problemeve të vogla që i kemi përballë dhe mbi të gjitha mungesa e angazhimit për të bërë pak më shumë që komuniteti ku ne jetojmë të jetë më i mirë. Dhe kush nga ju mendon se “Kjo nuk është puna ime, ç’më duhet mua çfarë bën shoku im i klasës”, e keni shumë gabim – nuk do jetë e largët dita kur do jetë puna juaj! Nëse dikush nga ju thotë se “Nuk kam forcë unë të diktoj këtë model”, e keni shumë gabim – forca e të gjithëve ne mund të bëjë një Shqipëri më të mirë. Nëse dikush nga ju mendon se “Kjo është histori e Policisë apo e shtetit”, e keni shumë gabim – asgjë nuk mund të ndodhë nëse nuk angazhohemi bashkë. Shqipëria nuk mund të bëhet më e mirë nëse nuk bëhemi të gjithë bashkë. E nëse ju filloni punoni, besoni, angazhoheni e këmbëngulni, Shqipëria do jetë pa dyshim më e mirë se sot. Sepse ju jeni më të mirë dhe keni një mundësi të bëni një Shqipëri më të mirë.

E gjithë kjo do punë, angazhim prej jush, e mbi të gjitha vetëdije që të refuzojmë të gjithë bashkë dhunën dhe mentalitetin e dhunës. E të ndihmojmë këdo që punon, angazhohet dhe ka vullnet për të refuzuar dhunën e mbi të gjitha armët. Ne do trokasim në çdo shtëpi, jo vetëm këtu por në të gjithë Shqipërinë. Sepse ne mendojmë që njerëzve duhet t’u shtrijmë dorën dhe çdo familjeje duhet t’i japim mundësinë të dorëzojë armën, në mënyrë që të mos kemi më frikën e dhunës pranë nesh.

Shqipëria sot ka shumë probleme. Ju keni shumë pikëpyetje për të ardhmen, për shkollën, për punësimin nesër, për mirëqenien e familjes suaj. Po askush prej këtyre problemeve nuk zgjidhen me armë. Dhe asnjë prej këtyre problemeve nuk zgjidhet nëse nuk punojmë të gjithë bashkë për ta bërë Shqipërinë më të mirë. Ka pa asnjë diskutim sakrificë. Nuk ka vend të mos jetë bërë pa sakrifikuar. E pa sakrifikuar njerëzit më të mirë. Dhe ju jeni më të mirët. Ndaj dhe punojmë bashkë për ta bërë dhe qytetin tuaj, shkollën tuaj, lagjen, komunitetin, Shqipërinë një vend më të mirë për sot. E mbi të gjitha për ju nesër.