Takim i tensionuar mes Ahmetit dhe Zaevit

Materialet e shkruara që Ali Ahmeti i kërkon nga Zoran Zaevi janë gati dhe së shpejti do të dorëzohen në BDI, thonë për Alsat-M burime në LSDM. Tani për tani, nuk specifikohet përmbajtja e tyre. Socialdemokratët besojnë se java e ardhshme do të jetë vendimtare për partinë e Ahmetit – pasi presin që t’i sigurojnë nënshkrimet e nevojshme të deputetëve për të marr mandatin për të formuar qeverinë. Paralelisht, grupet punuese të të dyja partive diskutojnë për detajet. Nga VMRO-DPMNE, nuk kanë koment për informacionin që e zbuloi BDI – se edhe partia në pushtet e ka pranuar platformën e tyre thuajse tërësisht, problemi i vetëm ka qenë Prokuroria speciale. Nga VMRO-DPMNE e porositën Ahmetin të mos shpresojë më për koalicion në të ardhmen, në rast se e shkel parimin “fituesi me fituesin.”

Për atë çështje u prononcuam nëpërmjet njoftimit të partisë, ndërsa për informim më të mirë për shikuesit tuaj do thosha të drejtoheni me pyetje me shkrim në Qendrën për komunikime të VMRO-DPMNE-së, tha Bojan Stojanovski”, VMRO-DPMNE

Megjithatë, burime nga BDI për Alsat – M thonë se pavarësisht mesazheve kërcënuese të Gruevskit ndaj Ahmetit, ata kanë zhvilluar sërish takim ditët e fundit. Takimi, sipas informacioneve të Alsat M, nuk ka kaluar në atmosferë të relaksuar. Njëri krah i BDI-së, ende përpiqet që të nxjerrë hapa në favor të bashkëpunimit me VMRO DPMNE-në, të cilët të paktën do të çonin në zvarritje të procesit, diçka që edhe vetë Ahmeti e paralajmëroi me përmendjen e skenarit belg – një situatë në të cilën vendi dy vjet nuk kishte qeveri. Megjithatë, burime për Alsat-M thanë se kjo nuk do të shkojë aq lehtë, për shkak se po rritet presioni i shumicës së anëtarëve të cilët mendojnë se nënshkrimet duhet t’i jepen LSDM-së.