Takim me shkrimtarët: Arian Leka dhe Luan Starova ne Librarine e Çarshise

Me rastin e botimit të librit “Gjarpri i Shtëpisë” në maqedonisht, në botim të “Goten”, Libraria e Çarshisë organizon takim me autorin e romanit, Arian Leka. Bashkëbisedues do të jetë Akademiku Luan Starova.

Arian Leka lindi në Durrës më 1966. Studioi muzikë në Liceun “Jan Kukuzeli”. Ka kryer Fakultetin Filologjik për Gjuhë dhe Letërsi shqipe dhe ka plotësuar studimet në Firence, Itali për letërsi të re (Lettere Moderne). Është profesor në Univerzitetin e Tiranës.Disa herë ka qenë i ftuar si profesor ose shkrimtar mysafir në shumë univerzitete si Hong Kong Baptist University (2008), Univerziteti Shandong – Kinë (2008), Univerziteti i Sarajevës (2011), Universitatea Romana de Stiinte si Arte Gheorghe Cristea (2014) etj. Ka botuar poezi, prozë, ese, letërsi për fëmijë. Përmendim mes të tjerash: “Anija e Gjumit” – poezi, “Gjarpri i Shtëpisë” – roman, “Strabizëm” – poezi, “Shpina e Burrit” – tregime dhe novela. Ndërkohë është marre me përkthime, kryesisht nga letërsia italiane.

Është themeluesi i Festivalit të parë ndërkombëtar të poezisë POETEKA, që zhvillohet në Durrës në muajin prill të çdo viti, si dhe kryeredaktor i revistës “Poeteka”, revistë e specializuar për poezinë dhe kulturën poetike që botohet në Tiranë një herë në tre muaj që prej vitit 2004. Është botuar e përkthyer në anglisht, gjermanisht, italisht, portugalisht, kroatisht, rumanisht, maqedonisht, frëngjisht. Ndërsa në shqip, kjo krijimtari është vlerësuar shpesh me çmime:

2000 – Çmimi i Lidhjes së shkrimtarëve për vëllimin me poezi: “Anija e Gjumit”, 2001 – Çmimi i Lidhjes së Shkrimtarëve për poezinë më të mirë lirike, 2002 – Çmimi special për poezinë Tetovë, Maqedoni, 2002 – Çmimi i sonetit – Kroaci, 2004 – Fitues i konkursit Evropa, atdheu ynë i përbashkët, organizuar nga MKRS për vëllimin me tregime: “Shpina e burrit”, 2005 – Fitues i Çmimit: “Penda e Argjendtë” për vëllimin poetik “Strabizëm” organizuar nga MTKRS.