Takimi i ambientalistit Prof. Dr. Afrim Osmani me kryetarin e komunës më të ndotur në Republikën e Kosovës, komuna e Obiliqit, z. Xhafer Gashi

ambientalisti6
Fatkeqësisht, sinonim i ndotjes në Republikën e Kosovës është komuna e Obiliqit, komunë kjo në të cilën janë të stacionuar termocentralet e KEK-ut, e që paraqesin burimin kryesor të ndotjes së mjedisit jetësor, me theks të veçantë ndotjes së ajrit.

Çdo kontribuues e aktivist për mbrojtjen e mjedisit jetësor dhe trajtimin e çështjeve ambientale/ekologjike, nuk do të ishte i kompletuar nëse nuk e trajton edhe ndotjen e mjedisit jetësor në komunën e Obiliqit, e cila konsiderohet një nga komunat më të ndotura në Republikën e Kosovës dhe më gjerë.

Komuna e Obiliqit në Kosovë dhe komuna e Tetovës në Maqedoni, fatkeqësisht, përfshihen në rrjetin e komunave më të ndotura, jo vetëm në regjion, por edhe në Evropë.

Niveli i ndotjes së ajrit në komunën e Obiliqit shpesh herë tejkalon maksimumin e mjetit matës të ndotjes. Dhe kjo duhet të paraqet shqetësim jo vetëm për kryetarin e komunës së Obiliqit dhe për banorët e kësaj komune, por për tërë Kosovën.

Në takimin që u realizua më datë 27.09.2016, në hapësirat e komunës së Obiliqit, në mes Prof. Dr. Afrim Osmani, ambientalist i dalluar në rajon dhe më gjerë, me kryetarin e komunës së Obiliqit, z. Xhafer Gashi, u diskutua ndotja e ajrit në këtë komunë, që vjen kryesisht si rezultat i përdorimit të thëngjillit si lëndë djegëse nga termocentralet e KEK-ut, KOSOVA A dhe KOSOVA B, si dhe mundësia si të parandalohet ky i ashtuquajtur krim ekologjik i shkaktuar nga ky gjigant prodhues i rrymës elektrike.

Pas prezantimit të aktiviteteve të cilat deri tani i ka ndërmarrë komuna e Obiliqit ndaj këtij problemi, nga ana e kryetarit të komunës, z. Xhafer Gashi, palët ranë dakord se prodhimi i vazhdueshëm i energjisë elektrike, duke mos plotësuar standardet e nevojshme ekologjike, siç njihet “vënia e filtrave si dhe funksionaliteti i tyre në mënyrë permanente”, me çka dukshëm do të ishte ulur ndotja e ajrit, shkakton pasoja të rënda në shëndetin dhe jetën e njerëzve, që ndikon drejtpërdrejtë në jetën e tyre, në mënyrën dhe kualitetin e të jetuarit të njerëzve, në paraqitjen e shumë sëmundjeve, me theks të veçantë të sëmundjeve të kancerit, ku numri i të sëmurëve nga kjo sëmundje është në rritje permanente, si dhe probleme tjera të personave me sëmundje kronike.

Ambientalisti Osmani shprehu shqetësimin e tij ndaj kësaj dukurie negative në komunën e Obiliqit, si dhe tregoi gatishmëri që në suaza të mundësive të veta intelektuale e akademike të jep kontributin maksimal për tejkalimin apo së paku zvogëlimin e ndotjes së ajrit në këtë komunë.

Në këtë drejtim, ambientalisti Osmani dha sugjerimet dhe propozimet e veta jo vetëm kryetarit të komunës së Obiliqit, por edhe qeverisë së Republikës së Kosovës, edhe atë: që urgjentisht të shihet mundësia e zëvendësimit të thëngjillit si lëndë djegëse që përdorin termocentralet, me alternativa tjera më pak ndotëse, ose, nëse një gjë e tillë është e pamundur, atëherë të bëhet dislokimi i të njëjtave larg vendeve të banuara; me qëllim të uljes së përkohshme të ndotjes së ajrit, Kosova ta shqyrtojë mundësinë e blerjes së rrymës elektrike derisa të gjejë ndonjë alternativë tjetër më pak ndotëse; kyçja e kësaj popullate me nxehjen qendrore, që tashmë e përdor i tërë qyteti i Prishtinës, në vend të përdorimit të thëngjillit si lëndë djegëse edhe nga ana e amvisërive; shteti t’i sigurojë popullatës së kësaj komune transport publik falas, i cili do t’i plotësojë standardet eko-6, që d.m.th. përdorimi sa më i ulët i automjeteve nga ana e qytetarëve, për shkak se ato dukshëm e ndihmojnë ndotjen e ajrit; të vihet ndalesë për shfrytëzimin e automjeteve që përdoren në mënyrë individuale, si dhe automjeteve të cilat nuk posedojnë së paku standardin eko-4; gjetja e alternativave të reja për ngrohje që mund të përdorin qytetarët e Obiliqit, por edhe tërë Kosovës, e që mund të realizohet përmes investimit të shtetit, siç është përdorimi i energjisë solare dhe subvencionimi i saj nga ana e shtetit, alternativë kjo e cila dukshëm do të kontribuonte për uljen e ndotjes së ajrit jo vetëm në Komunën e Obiliqit, por edhe në komunat tjera fqinje; shfrytëzimi i përvojave nga shtetet fqinje se si ballafaqohen dhe si i rregullojnë çështjet ambientale dhe mbrojtjen e vlerave ekologjike, ajrit, ujit dhe tokës, etj/antpress.