Takohen Gruevski dhe Ahmeti, diskutojnë për situatën politike

 Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti ka realizuar takim me Kryetarin e VMRO DPMNEsë, Nikolla Gruevski, ku është biseduar për dy çështje të cilat përfshijnë analizën e rezultateve të zgjedhjeve të mbajtura më 11 dhjetor të cilat u vlerësuan si të lira, fer dhe demokratike, si dhe kanë analizuar situatën aktuale politike.

Dy liderët këmbyen mendime rreth situatës paszgjedhore si dhe për sfidat e ardhshme në këtë drejtim.

Sipas praktikës, negociatat e këtij niveli janë zhvilluar mes vetë liderëve. Përderisa Gruevski ka marrë autorizimin e komitetit ekzekutiv të partisë së tij për të kryesuar vetë negociatat, nga partia e Ahmetit akoma nuk bëjnë të ditur nëse një vendim i tillë është marrë edhe nga BDI që do të nënkuptonte se liderët do të zhvillonin personalisht takimet. Aq më pak flitet për ekipin e negociatave dhe formim të grupeve të punës që do të bisedojnë lidhur me linjat e kuqe, të secilës prej partive. BDI-ja kërkon përdorim të barabartë të gjuhës shqipe në të gjithë territorin, zgjatje të mandatit të Prokurorisë Speciale dhe vazhdimin e procesit të euro-integrimeve. VMRO-DPMNE nuk pranon ndryshim të Kushtetutës sa i takon statusit të shqipes dhe as zgjatje të mandatit të Speciales, e cila sipas tyre ka anshmëri politike. Të dy partitë, VMRO-DPMNE dhe BDI kanë bërë me dije se negociatat mund të mos sjellin rezultate pozitive.

VMRO-DPMNE ka njoftuar se nuk do të formojnë Qeveri me çdo kusht, kurse nga BDI-ja thonë se vazhdon të mbetet i hapur edhe opsioni për qëndrimin e kësaj partie në opozitë. Të dy palët, nuk kanë mohuar as opsionin e zgjedhjeve të reja, në rast të dështimit të gjetjes së një zgjidhje./alsatm