Taravari premton investime dhe punësime në të gjithë spitalet e vendit

Ministri i Shëndetësisë Arben Taravari do t’i pezullojë të gjithë drejtorët ekonomik nëpër Spitalet e vendit, pasi sipas tij, institucionet shëndetësore nuk kanë nevojë për udhëheqës të tillë. Taravari tha se me rrogat e këtyre drejtorëve ekonomik do shpërblehen mjekët të cilët do të tregojnë rezultate të suksesshme në periudha të caktuara, ndërkaq gjatë pesë muajve të ardhshëm do të vendoset se cilët drejtorë të cilave Klinika do të qëndrojnë në poste e cilët do të shkarkohen.

Ideja jonë është që drejtorët financiar nuk ka nevojë të ekzistojnë nuk ka nevojë të dyfishojmë funksionimet , ne nuk jemi shtet i pasur do vazhdojnë ata drejtorë financiar në administratë dhe mund të jenë përgjegjës për administratën. Unë do insistoj që shumica e drejtorëve të jenë drejtorë që janë profesionistë shumë të mirë. Ato që janë të suksesshëm do të vazhdojnë , ato që ka nevojë të ndryshojnë do ti ndryshojmë përmes analizave – deklaroi Arben Taravari, ministër i Shëndetësisë.

Taravari premtoi ndryshime rrënjësore në sistemin Shëndetësor përmes ndryshimeve ligjore të cilat pritet të fillojnë që nga java e ardhshme. Ndër të tjera ai tha se prioritet do jenë investimet nëpër Qendrat rajonale shëndetësore, ndërkaq premtoi edhe sofistikimin e sistemit “Termini im” i cili është kritikuar shumë në opinion.

Do të nisim menjëherë gjatë javës së ardhshme ta bëj ekipin për formimin e një ligji të ri shëndetësor në Maqedoni sepse ky aktual që është katastrofë, është ndryshuar dhe është plotësuar mbi 100 herë. Do të ketë punësime shumë shpejt nëpër të gjitha spitalet pasi është mungesë e madhe e stafit mjekësor, prandaj edhe krijohet nervozizëm te shumica e pacientëve duke pritur nëpër radhë – tha Taravari.

Vizitën e tij të parë si ministër Taravari e realizoi në Spitalin Klinik të Tetovës ku tha se ky spital do jetë ndër katër qendrat prioritare në gjithë territorin e vendit ku do të kryhen investimet më të mëdha.

Vjollca Aliti