A do të ndahet Ziadin Sela me Vesel Memedin?!

Në LR-PDSH po dalin pakënaqësitë lidhur me bashkëpunimin me Vesel Memedin, i cili është kryetar i RDK-së, e cila u përça pas mosmarrëveshjeve të brendshme.                                    Dega e LR-PDSH në Saraj ka goditur hapur Memedin se si ka emëruar për ministër një person që sipas tyre është qytetar i zakonshëm dhe kurrë nuk kishte aderuar në RDK.               “Pyesim publikisht Vesel Mehmetin se kë e përfaqëson qytetari i Kondovës, Zyhejl Fazliu? Më së paku mund të jetë përfaqësues i RDK-së, sepse kjo parti as që ka pasur degë aktive dhe as që ka funksionuar në zonën e Sarajit. Veprimet e linjave nëntokësore më së paku i përkasin Aleancës së Shqiptarëve. Jemi thellësisht të bindur se emërtimi i këtij personi për Ministër të Pushtetit Lokal vjen pikërisht nga kjo linjë, meqë z. Fazliu kurrë nuk është parë as të ketë aderuar në RDK kurse familja e tij ka kohë që nuk marrin pjesë në votime në asnjë palë zgjedhje!”, theksoi LR-PDSH në Saraj.   Nga kjo degë kanë kërkuar që të shqyrtojnë bashkëpunimin me RDK-në e Vesel Mehmetit i cili jo njëherë është treguar mjaft tinzar, jo i sinqertë, jo parimor dhe misterioz në veprimet e tij të cilat pa dyshim që po e dëmtojnë drejt për drejt LR PDSH-në. Pakënaqësi të tilla janë shprehur edhe në degë të tjera, që kërkojnë të distancohen nga Memedi. (INA)