Të shtunën lëshohet në qarkullin pjesa e parë e autostradës Prishtinë-Shkup

PJESA E PARË E AUTOSTRADËS ARBËN XHAFERI NGA RRETHRROTULLIMI I MADH I PRISHTINËS E DERI NË FSHATIN BABUSH TË LIPJANIT PRITET TË LËSHOHET PËR QARKULLIM KËTË TË SHTUNË.

Lajmin e ka bërë publik, ministri i Infrastrukturës, Lutfi Zharku në konferencën e fundvitit për media, transmeton Koha.net.

Zharku ka bërë të ditur se nga buxheti i përgjithshëm prej 199 milionësh, 148 milionë euro prej të cilave kanë shkuar në ndërtimin e autostradës Prishtinë-Hani i Elezit.

Nga vendimi i djeshëm i qeverisë, kjo ministri vitin e ardhshëm do të ketë 10 milionë euro më shumë. Investimet në infrastrukturë nga huamarrja kanë arritur në 24.2 milionë euro.

Vitin e ardhshëm ka thënë se do të nis ndërtimi i autostradës 47 kilometërshe Prishtinë-Gjilan-Konçul, ashtu siç mund të pritet të nis edhe ndërtimi i autostradës Ibrahim Rugova nga Besian në Merdare.

Zharku ka deklaruar se janë bërë një numër kontrollesh të automjeteve, të kompanive të kontrollimit teknik dhe të auto-shkollave për një numër nga të cilat ka pasur edhe dënime apo shqyrtim të heqjes së licencës.