Tearca mund ta ndryshojë rezultatin zgjedhor!

Të dielën do të rivotohet në vendvotimin 2011 në Komunën e Tearcës. Pas vendimit të Gjykatës Administrative, edhe KSHZ-ja në mënyrë unanime miratoi këtë vendim. Ky institucion konstatoi se rivotimi në këtë vendvotim mund të bëjë ndryshim në rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve dhe numrin e mandateve.

“Rivotimi në vendvotimin 2011 në Komunën e tearcës mund të ndikojë në rezultatet e njësisë zgjedhorë numër gjashtë. Për këtë arsye propozoj që KSHZ të sjellë vendim me të cilin do të rivotohet në këtë njësi, me listat e kandidatëve për deputetë, në bazë të vendimit të Gjykatës Administrative”, deklaroi Aleksandar Çiçakovski, kryetar i KSHZ-së.

Vendvotimi 2011 në Tearcë ka 714 votues kurse në këto zgjedhje kanë votuar 404 persona mes të cilëve 91 për VMRO-DPMNE-në kurse 87 për LSDM-në, 65 për Besën, 64 për PDSH-në, 53 për BDI-në dhe 25 për Aleancën për Shqiptarët. Nga partitë shqiptare, asnjëra nuk ka mundësi të fitojë më shumë deputetë.

Dallimi mes VMRO-DPMNE-së dhe LSDM-së në njësinë e gjashtë zgjedhore është 307 vota në avantazh të partisë së Gruevskit. Që LSDM-ja të fitojë një mandat më shumë i duhen të paktën 308 vota më shumë se më 11 dhjetor.

VMRO –DPMNE     26.135 vota

LSDM                      25.828 vota

Nga partia e Gruevskit përsëritën se nuk do të marrin pjesë në rivotim kurse vendimi i Gjykatës Administrative për to është i padrejtë dhe me prapavijë politike.

“Është matematikë e thjeshtë, LSDM-ja në këtë vendvotim mund ta vjedhë fitoren e VMRO-DPMNE-së vetëm nëpërmjet të ashtuquajturës inzhiniering zgjedhor ku do të targetohen sakt numri i caktuar i votuesve përmes të cilëve LSDM-ja do të mundohet ta falsifikojë vullnetin e të gjithë qytetarëve që u shpreh në zgjedhjet e drejta dhe demokratikë më 11 dhjetor. Edhe në këtë kontekst, VMRO-DPMNE mbetet në qëndrimin e bërë publik nga Komiteti ekzekutiv I partisë, ditën e shtunë”, tha Nikolla Todorov, VMRO-DPMNE.

Gruevski të shtunën tha se nëse rivotohet, VMRO-DPMNE nuk do të marrë pjesë dhe nuk do të njohë rezultatet nga ai rivotim. Megjithatë sipas KSHZ-së, të gjithë partitë që kanë dorëzuar lista kandidatësh, automatikisht janë pjesë edhe e procesit të rivotimit.

Petre Shilegov nga LSDM-ja, tha se Tearca këtë radhë ka mundësinë që ta vulos kthimin e jetës në Maqedoni.

“Për këtë gjë, theksojmë edhe këtu, gjithkush është i rëndësishëm, secili banor i Maqedonisë është i rëndësishëm prioritetet e qeverisë së re demokratike të Maqedonisë janë pikërisht nevojat e qytetarëve. Në Tearcë do fitoj Maqedonia”, u shpreh Petre Shilegov, LSDM.

Rivotimi bëhet të dielën, gjegjësisht me 25 dhjetor./ALSATM