Tekstet shkollore në Maqedoni me gabime dhe fyerje për shqiptarët

Edhe këtë vit shkollor nxënësit shqiptarë do të mësojnë nga tekste shkollore me gabime të shumta si përmbajtjesore ashtu edhe ortografike. Këto gabime më të theksuara janë nëpër librat e historisë, gjeografisë, shoqërisë, artit, por edhe në tekste tjera

Në librin e Gjeografisë gabimet vërehen që në ballinën e librit ku emri i lëndës është shkruar gabimisht. Edhe përkthimet e teksteve janë pa një strukturë të mirë gramatikore ndërsa janë të pranishme edhe shtrembërimet e ngjarjeve të rëndësishme historike. Në librin e historisë Shën Jan Kukuzeli i cili në tekstet e historisë shqiptare njihet si një murg ortodoks nga Durrësi , himnograf, mjeshtër dhe teoricien i muzikës kishtare bizantine, tani ai përshkruhet si Jovan Kukuzeli, krijues i njohur i muzikës maqedonase. Edhe shumë gabime tjera të evidentuara më parë vazhdojnë të jenë të pranishëm, shkruan Alsat-M.

Nga Ministria e Arsimit përsërisin qëndrimet të dëgjuara vite me radhë, për ndryshime ligjore me qëllim hartimin e teksteve të reja.

“Si ministër i Arsimit kam ndërmarr masa dhe menjëherë kam reaguar duke formuar një grup ekspertësh të cilët do të merren me analizat dhe përpjekjet që këto tekste shkollore ti kemi në fund pas analizës së tyre një model në të cilin këto gabimet nuk do të përsëriten edhe në të ardhmen”, tha ministri i Arsimit, Pishtar Lutfiu.

Premtime të tilla para gati dy viteve kishte dhënë edhe paraardhësi i tij Abdilaqim Ademi.