Tentuan të vidhnin bankomatin në Sarandë, arrestohen dy bullgarë

Dy shtetas bullgarë u arrestuan në Sarandë, në tentativë për të vjedhur një automat të një banke të nivelit të dytë.

Sot, në orën 6 të mëngjesit, Policia e Sarandës u njoftua nga qendra e kontrollit të bankomateve të një banke se, në “lagjen 2” në afërsi të portit, te një nga bankomatet ndodheshin dy shtetas me disa vegla pune në duar, të cilët po tentonin të vidhnin bankomatin.

Policia, pas këtij sinjalizimi ka shkuar menjëherë në vendngjarje, ku falë reagimit në kohë ka bërë kapjen në flagrancë të dy shtetasve që po tentonin me një trapan dhe disa vegla të ndërhynin te bankomati, për të vjedhur vlerat monetare.

Dy shtetasit bullgarë, të cilët u arrestuan, janë banues në Sofje.