Tërmet në Italinë Qëndrore

Italia Qëndrore vazhdon të tronditet nga lëkundjet e tërmetit. Në orën 04:13 minuta të mëngjesit të sotëm një lëkundje sizmike e shkallës 4 Richter është regjistruar në pjesën verilindore të komunës së Aquilas duke u ndjerë në të gjithë rajonin Marche.

Instituti Kombëtar italian i Gjeofizikës dhe vullkanologjisë ka konfirmuar se lëkundja sizmike kishte një thellësi 11 km nga sipërfaqja e tokës me epiqendër 3 km nga komuna e Montereale e 14 km nga Amatriçe.

Lëkundjet e këtij tërmeti janë ndjerë në një rreze rreth 50 km nga epiqendra.

Në ora 3.57 minuta po të mëngjesit të sotëm, një tjetër lëkundje sizmike e shkallës 2.5 është regjistruar në provincën e Maceratës.

Për momentin nuk shënohen dëmtime e shëmbje të reja në këtë territor, por tek banorët është rikthyer paniku e frika duke pritur lindjen e ditës në qiell të hapur.

Vetëm pak orë më parë kreu i Mbrojtes civile Fabrizio Curcio në një deklaratë publike është shprehur se “prej tërmetit të gushtit të 2016, në një territor prej gati 1000 km katror e që prek 4 rajone janë regjistruar rreth 55 mijë lëkunde sizimike, 9 prej të cilave mbi 5 ballë e 1 lëkundje e shkallës 6.5 Richter, nga më të fortat e shënuar gjatë 37 viteve të fundit.”

Sipas kreu të Mrojtjes Civile jashtë këtij territori e në pjesën tjetër të Italisë nuk ka një perceptim të asaj ç’ka po ndodh.”

Sipas të dhënave të Mbrojtjes Civile, qëndrat më të goditura nga tërmetet e 6 muajve të fundit në Italinë Qëndrore janë rreth 131. 52 prej tyre pothuajse të pabanueshme.

Janë rreth 300 mijë banesa në rrezik shëmbje e gjysma e tyre, pra rreth 150 mijë të deklaruara të pa banueshme.

Numri i banorëve të zonave të tërmetit është rreth 100 mijë, e 11 835 prej tyre jetojnë falë asistencës së Mbrojtjes Civile të strehuar në hotele.

Ndërkohë kryetarët e komunave të prekura nga tërmetit vazhdojnë të denoncojnë vonesa të shumta burokratike në paisjen me shtëpi të përkoshme për banorët e tyre.

Në komunën e Amatriçes, e rrafshuar pothuajse e tëra nga tërmeti i gushtit duke shënuar rreth 300 viktima, aktualisht kanë mbërritur shumë pak shtëpi druri, ndërsa në rajonet Marche e Umbria, pothuajse asnjë.