“Tërmet” te Barcelona, humb dy yje, ja emrat

Luis Enrique do të ketë shumë dilema në mbrojtje në ndeshjet e ardhshme. Barcelona sot konfirmoi se Gerard Pique dhe Jordi Alba do të qëndrojnë jashtë fushave të futbollit respektivisht për tri dhe dy javë, pas dëmtimeve të pësuara në ndeshjen e së mërkurës me Manchester City-n në Champions League.
Anësori Alba luajti vetëm 10 minuta në “Camp Nou” para se të detyrohej për t’u zëvendësuar nga Lucas Digne. Zyra për shtyp e klubit katalanas njoftoi se ai ka vuajtur një elongim të femurit në këmbën e majtë. Pique, ndërkohë, pësoi një dëmtim në kyçin e këmbës pas 39 minutash lojë.
Këto lajme janë të vështira për t’u kapërdirë nga tekniku Enrique, sepse në këtë sezon reparti i mbrojtjes i kampionëve të Spanjës është tkurrur në shumë pak kohë. Francezi Digne raportohet se gjithashtu ka një dëmtim të lehtë, teksa Jeremy Mathieu, një tjetër zëvendësues, u ndëshkua me karton të kuq si për të plotësuar serinë e ndeshjeve të tij të dobëta.
Me kaq shumë mungesa, Javier Mascherano pritet që sërish të përdoret si mbrojtës i djathtë – ashtu si me “Qytetarët” – edhe pse pozicioni i tij natyral nuk ka lidhje aspak me mbrojtjen, pasi ai është mesfushor.