‘Terroristi’ kosovar me sëpatë, në vend të burgut dërgohet në psikiatri

Në mars të këtij viti, një kosovar 36-vjeçar në gjendje të tendosur kishte sulmuar pa shkak me sëpatë në kalimtarët e rastit në Stacionin Hekurudhor të Dyzeldorfit, Gjermani. Me atë rast ai u kishte shkaktuar lëndime tetë personave, katër prej të cilëve kishin pësuar lëndime të rënda në kokë, shkruan rp-online.de.

Pastaj ai kishte ikur dhe kishte kërcyer nga një ure, duke rënë në rrugë, me ç`rast kishte pësuar lëndime serioze.

Ai ishte paditur për tentim vrasjeje të tetëfishtë por tash nuk e pret burgu, transmeton albinfo.ch. Kosovari pritet të dërgohet në një klinikë psikiatrike të tipit të mbyllur, ku do të mbahet për një kohë të gjatë.

Kjo masë ndëshkimi i është shqiptuar pasi që prokuroria konsideron se personi që jeton në Wuppertal, krimin e ka bërë në një gjendje të një çrregullimi akut të shizofrenisë paranoide. Për këtë arsye ai nuk bart përgjegjësi penale por vazhdon të jetë i rrezikshëm për rrethin.

Gjykimi i tij në Gjykatën e Landit, në Dyzeldorf do të mbahet këtë javë.