Terroristi që përgjaku Vitin e Ri në Stamboll: Nuk pendohem për asgjë

Në dëshminë gjyqësore të Abdulgadir Masharipov, i cili në mes të janarit të këtij viti u arrestua në lagjen Esenyurt të Stambollit nën dyshimet se qëndron pas sulmit terrorist në klubin e natës Reina në Stamboll, të kryer në natën e Vitit të Ri, thuhet se është anëtar i organizatës terroriste DEASH, raporton AA.

“Jam anëtar i organizatës DEASH. Qëllimi i kësaj organizate është të formojë Kalifatin. Udhëheqësi i organizatës është Abu Bakr al-Baghdadi. DEASH është themeluar me qëllim të luftës kundër Amerikës pas pushtimit të Irakut”, tha Masharipov në deklaratën e tij para gjykatës në Stamboll.

Ai theksoi se përdorimin e armëve e ka mësuar në Afganistan, duke shtuar se para sulmit në klubin e natës nuk ka kryer sulm tjetër dhe se si synim kishte të vrasë të krishterë.

Në deklaratë thotë se në Turqi ka mbërritur në muajin e parë të vitit 2016 përmes kufirit në lindje të vendit, pas së cilës arriti në Stamboll.

“U jam hakmarrur të krishterëve për atë që u kanë bërë muslimanëve. Nuk kam patur asnjë problem me shtetin e Turqisë”, tha Masharipov.

Ai theksoi se ai ishte në gjumë në momentet kur policia e arrestoi në shtëpinë ku po qëndronte.

Masharipov në deklaratë thotë se nuk pendohet për atë që ka bërë.

“Kam marrë hak, nuk pendohem për atë që kam bërë. Mendoj se vetëm jam hakmarrur”, tha Masharipov.

Gjykata në Stamboll më 11 shkurt caktoi masën e paraburgimit kundër terroristit të DAESH-it, Abdulgadir Masharipov, i cili në mes të janarit të këtij viti, u arrestua në lagjen Esenyurt të Stambollit si i dyshuar se qëndron pas sulmeve terroriste në klubin e natës Reina në Stamboll.

Në sulmin terrorist në natën e Vitit të Ri në klubin Reina të Stambollit jetën e humbën 39 persona dhe dhjetëra të tjerë u plagosën.

Abdulgadir Masharipov, i cili pranoi se është anëtar i organizatës terroriste DEASH, kërkohej edhe nga Uzbekistani, nga i cili e ka origjinën.