Tetova akoma pa transport urban

Një variant për organizimin e transportit urban, sipas burimeve të gazetës KOHA, është që të lidhet kontratë me kompani private, që do të organizojë transportin publik në Tetovë, ndërsa kjo vlen për qytetin ndërsa jashtë qytetit për në vendbanimet tjera, e njëjta do të bëhet në koordinim me komunat rurale

Tetovë, 17 shkurt – Gati se dhjetë vite qytetit të Tetovës i mungon transporti publik, shkruan gazeta KOHA. Gjatë tërë kësaj kohe, pas falimentimit të ndërmarrjes autotransportuese “Polet”, transporti publik është i paorganizuar dhe i njëjti zhvillohet me furgonë dhe disa kompani të tjera private. Kjo ka bërë që gati se dy vite më parë të sillet një vendim në Këshillin e komunës që të themelohet Ndërmarrja për Transport Publik, por e njëjta ende nuk është funksionale dhe ka ngelur vetëm në letër.

Nga Komuna e Tetovës thonë se ende nuk kanë përgjigje lidhur me kërkesën në Qeveri për furnizim me autobus që të funksionalizohet transporti publik. “Pas sjelljes së vendimit për themelimin e Ndërmarrjes për Transport Publik, kemi kërkuar dhe ende nuk kemi marrë përgjigje nga Ministria për Transport dhe Lidhje, që me shembullin e qytetit të Shkupit të cilit iu dhuruan të gjithë autobusët për rinovimin e mjeteve për transport publik, të ndajë tetë autobus komunës së dytë më të madhe në Maqedoni, respektivisht Komunës së Tetovës”, tha për KOHA, Armend Fazliu, shef i Zyrës për komunikim, protokoll dhe marrëdhënieve me publikun. Nga pushteti lokal në Tetovë, thonë se vënia në funksion e transportit publik do të ndikonte edhe në zvogëlimin e ndotjes si dhe përmirësimin e kaosit në komunikacionin e qytetit të Tetovës.

“Në këtë drejtim është mjaftë e arsyeshme që të kemi një shpërndarje proporcionale të mjeteve nga Qeveria e Republikës së Maqedonisë. Sepse, me ndarjen e atyre autobusëve kontribuojmë edhe në kauzën tonë të përbashkët që kemi, për ndotje sa më minimale të ajrit ambiental”, tha Fazliu.

Por, krahas mos marrjes së përgjigjes nga ana e Qeverisë dhe Ministrisë së Transportit për këtë kërkesë, komuna është duke shqyrtuar mundësinë që vet të gjejë mënyra për të bërë reale dhe funksionale ndërmarrjen për transport publik. “Duke mos hasur në mirëkuptim, megjithëse bëhet fjalë për një shumë të konsiderueshme të mjeteve, Komuna e Tetovës, ashtu siç ka gjetur gjithmonë zgjidhje me forcat e brendshme, shqyrton të gjitha mundësitë që edhe për këtë problematikë të shqyrtojë opsione tjera alternative”, deklaroi ai.

Ndryshe, Komuna e Tetovës, tashmë shqyrton variantet për zgjidhjen e problemit të Transportit Urban, problem ky i kamotshëm në këtë komunë, pasi që komuna është duke pritur përgjigje nga Ministria e Transportit dhe Lidhjeve për furnizimin me autobus dhe nuk ka asnjë përgjigje kthyese, pritet që të gjejë mënyra të tjera për të vënë në praktikë funksionalizimin e Ndërmarrjes Publike Transportuese. Një variant për organizimin e transportit urban, sipas burimeve të gazetës KOHA, është që të lidhet kontratë me kompani private që do të organizojë transportin publik në Tetovë, ndërsa kjo vlen për qytetin, ndërsa jashtë qytetit për në vendbanimet tjera e njëjta do të bëhet në koordinim me komunat rurale. Në ndërkohë, përderisa kryetarët e komunave janë duke numëruar ditët e fundit të mandatit të tyre, vështirë se për një kohë të shkurtër do të implementohet diçka në praktikë pasi që fillon edhe periudha zgjedhore për zgjedhjet lokale dhe kjo me siguri se do të zvarrit ende vënien në funksion të transportit publik në Tetovë.