Tetova ende me plan të vjetër urbanistik

 

Që nga viti 2003 Tetova ende është me Plan të njëjtë urbanistik. Prej atëherë e deri më tani edhe numri i banorëve, veturave dhe ndërtesave është rritur dukshëm dhe nevoja për një Plan të ri të përgjithshëm urbanistik është shtruar që moti, por në formë zyrtare akoma nuk ka një plan të ri, shkruan gazeta KOHA. Njohës të këtyre rrethanave thonë se Plani i 2003-shit, duhet të revidohet si në aspektin ligjor, po ashtu edhe praktik

 

“Një kohë të gjatë thuhet që Tetova do të ketë Plan të ri urbanistik, por realisht deri më sot nuk ka asgjë të re nga kjo punë. Arsyet mund të jenë të ndryshme, por për mua janë të panjohura dhe mendoj që duhet një qasje shumë më serioze nga udhëheqja komunal, pasi që komuna e Tetovës ka kapacitete profesionale dhe administrative për realizimin e kësaj, mirëpo për arsye të panjohura nuk ka arritur që ta miratojë”, thotë për KOHA, Skender Palloshi, ekspert i çështjeve urbanistike.

Në ndërkohë, edhe nga komuna nuk kanë dhënë detaje se pse nuk është miratuar Plani i ri urbanistik për Tetovën.

“Sa i takon Planit të përgjithshëm urbanistik, është një dokument më kompleks, që ka të bëjë me zhvillim të qytetit. Është në fazë të përpunimit. Është e vërtetë që nuk arritëm ta miratojmë dhe shpresojmë se do të jetë gati shumë shpejt për miratim”, tha Isen Xhemaili, kryetar i Këshillit të Komunës së Tetovës.

Mirëpo, krahas kësaj, Skender Palloshi është i mendimit se plani ekzistues duhet të realizohet dhe më pas të miratohet një plan i ri.

Ai nënvizon se zonat e reja të ndërtimit, bashkë me hapjen e bulevardeve, do të sillnin zhvillim më të mirë të qytetit ndërsa do të kishte ndikim edhe në përmirësimin e cilësisë së jetës së qytetarëve, shprehet Palloshi.