Thaçi mohon se ka thënë që me një deputet do të futet në qeveri

Kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare, Menduh Thaçi ka qenë mysafir në emisionin special të TV Dukagjinit për zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Maqedoni, shkruan Telegrafi Maqedoni.

Thaçi është pyetur edhe për zgjedhjet e vitit 2014 ku ai thotë se ja kanë keqinterpretuar deklaratën rreth futjes në qeveri me një deputet.

”Disa fjalë kur une i them, kur i dëgjoj dhe gërditem prej fjalëve të mija. Se paskam thënë se unë edhe me një deputet do hy në qeveri. Nuk është kështu. Unë kam thënë, edhe me një deputet mund të hi në qeveri. S’ka kurrfar problemi se normale është që parti të hyjë në qeveri me një deputet. Po nuk është kjo punë! Duhet që faktori politik të fitojë mbështetjen e fuqishme të shqiptarëve për të realizuar platformën etnike shqiptare” tha mes tjerash Thaçi.

Përndryshe, Menduh Thaçi ishte në emisionin special të Tv Dukagjinit për zgjedhjet e parakohshme parlametare në Maqedoni që duhet të mbahen më 11 dhjetor. Mysafirë tjetër të këtij emisioni special do të jenë edhe: Ali Ahmeti nga BDI që do transmetohet sonte, dhe Ziadin Sela që duhet të transmetohet të premten.