Thaçi: BE nuk duhet ta pranojë Serbinë para Kosovës

Bashkimi Evropian do të bënte gabim të madh kur në anëtarësim do të pranonte Serbinë para Kosovës, ka thënë presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi në një intervistë për agjencinë kroate të lajmeve Hina.

Ai ka theksuar se shqetësimin më të madh në Evropën Juglindore e shkakton fakti se BE është shumë e ngadalshme në përafrimin e vendeve të rajonit, gjë e cila hap hapësirën për të gjitha llojet e radikalizmit, si dhe forcimin e ndikimit rus, transmeton KosovaPress.

“Për këtë arsye BE duhet të veprojë më shpejt në afrimin e vendeve të Evropës Juglindore”, ka thënë Thaçi, duke shtuar se do të ishte gabim i madh i BE-së nëse pranon Serbinë para Kosovës, pasi që atëherë Prishtina sigurisht se do të pengohet në rrugën e saj evropiane.

“Nuk mund të paramendoj se një gjë e tillë do të ndodhë. Jam i bindur se ky nuk do të jetë rast, pasi që atëherë Serbia sigurisht do ta bllokojë Kosovën dhe atë për një kohë të pacaktuar. BE e di mirë se cili është qëndrimi dhe sjellja e Serbisë ndaj Kosovës. Por, as Serbia nuk mund të shkojë tutje në rrugën e integrimeve evropiane nëse nuk sillet në mënyrë evropiane ndaj Kosovës”, ka thënë presidenti Thaçi.

Ai ka thënë se Kosova ndodhet në rrugë të sigurt që të bëhet anëtare e NATO-së dhe BE-së, ndërsa ka shtuar se dialogu me Serbinë nuk ka alternativë dhe se Serbia në fund do ta njohë Kosovën.

“Nuk mund të flasim për muaj apo vite”, shprehet Thaçi.