Thaçi: PDSH do të jetë opozitë konstruktive dhe do të përkrahë avancimin e shqiptarëve

 

Kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare (PDSH), Menduh Thaçi sot në selinë e partisë priti në takim ambasadorin e Francës në vend, Christian Timonier. Nga PDSH thonë se, në takim është biseduar për krizën dhe zhvillimet e fundit në vend, si dhe ecurinë e reformave që Maqedonia duhet t’i përmbush drejt proceseve integruese

“Kryetari Thaçi shprehu brengosjen për marrëdhëniet e brishta ndëretnike, situatën ekonomike, si dhe për ngecjen e proceseve integruese, duke vlerësuar se ndodhitë e fundit si dhe përfitimet e partive nga politika ditore kanë devijuar tërësisht rrugën e integrimeve euro-atlantike në NATO dhe BE, si dhe kanë acaruar marrëdhëniet ndëretnike. Kryetari Thaçi konstatoi se problemet reale të Maqedonisë janë çështja e emrit, të drejtat e shqiptarëve, si dhe funksionimi i institucioneve, andaj Partia Demokratike Shqiptare si parti opozitare do të jetë konstruktive dhe do të përkrah çdo nismë institucionale që ka të bëjë me avancimin e të drejtave të shqiptarëve, me reformat e mirëfillta, si dhe me de-bllokimin e proceseve integruese”, thuhet në kumtesën e PDSH-së.