Thaçi : Serbia po synon ta ndajë Kosovën me ndihmën e Rusisë

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se provokimet e Serbisë ndaj Kosovës janë pjesë e “skenarit të vjetër për ndarjen e një pjese të Kosovës”.
“Serbia llogaritë në ndihmën e Rusisë dhe kjo ishte arsyeja pse një tren i Rusisë ishte nisur nga Beogradi për në Kosovë. Asgjë nuk është e rastësishme, gjithçka ishte e planifikuar”, ka thënë Thaçi.
Kërcënimet e Serbisë me luftë, ka shtuar Thaçi, janë dëshmia më e mirë e ekzistimit të këtij skenari, që si qëllim ka aneksimin, e më pas edhe ndarjen e kësaj pjese të Kosovës (pjesa veriore).
“Kërcënimi i vetëm për serbët e Kosovës, është atëherë kur Serbia i përdorë ata për realizimin e qëllimeve të saj”, ka shtuar Presidenti i Kosovës.
Beogradi, sipas tij, është i gatshëm që t’i viktimizoj serbët e Kosovës për t’i realizuar synimet e veta politike e ushtarake, ashtu siç ka vepruar në Bosnje e Hercegovinë dhe në Kroaci.
Thaçi ka thënë se fjala “luftë” do të duhej të largohej nga fjalori nacionalist në Serbi.
“Serbia sot kërcënon Kroacinë, Bosnjën e Hercegovinën, Malin e Zi, kërcënon Kosovën. Është shndërruar në adresën e kërcënimit të paqes e stabilitetit në Ballkanin Perëndimor”, ka theksuar Thaçi.
Kërcënimet me luftë, ka vijuar ai, do të duhej të shiheshin me shqetësim tek të gjithë faktorët ndërkombëtar e sidomos nga NATO dhe Bashkimi Evropian.
“Pavarësisht kësaj gjendje të tensionuar, Kosova i bën thirrje Serbisë për dialog dhe bashkëpunim”, është shprehur Thaçi.
“Nëse Serbia thërret për luftë, Kosova bën thirrje për paqe. Nëse Serbia bën thirrje për ndarje territoriale, Kosova bën thirrje për integrim në Bashkimin Evropian dhe në NATO”, ka thënë ndër tjera, Thaçi.