– Thaçi: S’kemi aspirata për ndryshim kufijsh me Shqipërinë

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka shprehur besimin se pas 10 viteve, Kosova do të jetë pjesë e NATO-s dhe nëse jo e anëtarësuar në Bashimin Evropian, do të jetë afër integrimit në BE, si dhe me njohje të reja.
Ai duke iu përgjigjur pyetjeve të të pranishmëve, është shprehur i bindur se pas 10 viteve, Kosova do të jetë pjesë e Interpol dhe Europol.
Sipas tij, çdo vonesë të BE-s dhe NATO-s, do ta keqpërdorin të tjerët.
“Perspektiven e Kosovës nuk e shoh si të izoluar por në një rrafsh më të gjerë Kosova është vend i pavarur, me perspektivë legjitime dhe e vetmja aspiratë është anëtarësimi sa me i shpejtë në NATO dhe Bashkim Evropian. Se si do të jetë Kosova me vendet tjera në rajon, unë potencoj qe me Shqipërinë kemi raporte të shkëlqyeshme dhe të gjithë i gëzohen këtyre raporteve, nuk kemi asnjë aspiratë për ndryshimin e kufijve”, tha ai.
Vonesa e Bashkimit Evropian dhe e NATO-s që të ofrojë afër vetes vendet e rajonit nuk është vetëm një vakum, por edhe një rrezik për rajonin, BE-në dhe NATO-në, pasi ideologji tjera po përpiqen të ofrohen në rajonin tonë.
Ai në Seminarin e 93-të Rose-Roth të Asamblesë Parlamentare të NATO-s, që po mbahet në Prishtinë, ka folur për proceset që ka kaluar Kosova që nga largimi çlirimi i Kosovës dhe deri në ditën e sotme.
“Nuk kemi pasur asnjëherë rast, si Kosovë, si Serbi dhe rajon që në muajt e ardhshëm të vëjmë në binarë të mirë bashkëpunimin. Përmirësimi i marrëdhënieve të Kosovës dhe Serbisë ka ndikuar edhe në përmirësimin e marrëdhënieve të vendeve të rajonit”, tha ai.
Thaçi shtoi se Kosova sot është eksportuese e stabilitetit dhe promovuese e dialogut.
“Dëshirojmë dhe po punojmë që vendimi për themelimin e Forcës së Armatosur të Kosovës të ketë votën e të gjitha komuniteteve në Kosovë”, tha ai.
Ai tha se është qenësore për rajonin që BE të mos vonohet për integrimin e vendeve të rajonit./KosovaPress/