Thaçi: Sulmi ndaj Çitakut përpjekje për dëmtim të imazhit të shtetit

Presidenti i Kosovës ka dënuar sulmin me vezë ndaj ambasadores Vlora Çitaku mbrëmë në “University of Denver”, në Colorado.

Nëpërmjet një statusi në Facebook presidenti ka thënë se ky sulm ishte edhe një tjetër përpjekje e radhës për ta dëmtuar imazhin e Kosovës në arenën ndërkombëtare.

 

Statusi i Thaçit në Facebook:

 

Shprehja e lirë e fjalës dhe mendimit është vlerë fundamentale e demokracisë, e cila respektohet nga të gjithë ne. Kjo e drejtë nuk duhet të keqpërdoret nga askush, duke cenuar integritetin personal të askujt, aq më tepër të një zyrtari shtetëror të institucioneve të Republikës së Kosovës.

 

Keqpërdorimi i lirisë së shprehjes, i shoqëruar me dhunë automatikisht shndërrohet në një akt të shëmtuar dhe të dënueshëm, si ai i djeshmi ndaj ambasadores së Kosovës në Uashington, Vlora Çitaku.

 

Fyerja dhe sulmi ndaj ambasadores Çitaku ishte edhe një tjetër përpjekje e ulët e radhës për të dëmtuar imazhin e Kosovës në arenën ndërkombëtare.

 

Nxitësit dhe ekzekutuesit e veprimeve të tilla të shëmtuara, duhet të ndjehen të turpëruar. HTH