Thirrje antishqiptare në protestën e VMRO-së

Në atmosferë të këtillë Subhi Jakupi dhe Bedredin Ibrahimi me kolegët e tyre nga KSHZ vendosnin për ankesat e LSDM-së dhe Lëvizjes Besa. Përveç mbështetësve të VMRO-DPMNE-së, me fjalor të urrejtjes dhe nxitjes së trazirave dolën edhe zyrtarë të kësaj partie që ishin para selisë së KSHZ-së për të kryer presion që mos të pranohen ankesat e dy partive.

“Zaevit shumë shpejtë do t’i vijë varrimi, do ta godet infarkti pas disa ditëve, do ta vizitojmë në kardiologji dhe do t’i ndezim qirinj në varreza”, deklaroi Amdi Bajram, Deputet.

“T’i përshëndes mbrojtësit, kjo natë është nata e thikave, kjo natë është ose nata e arsyes ose e çmendurisë së një personi”, tha Valentina Bozhinovska, Drejtore e Komisionit për marrëdhënie me komunitete fetare.

Në cak ishte edhe ambasadori i SHBA-së në Shkup, Xhes Bejli, po nga një tjetër zyrtar i VMRO DPMNE-së.

“Largohu nga Maqedonia, mos provoko më, në Maqedoni fitoi populli. Mos i përgjak marrëdhëniet e të dy shteteve, edhe ashtu je para largimit”, u shpreh Filip Petrovski, Drejtor i arkivit shtetëror.

Ekspertët vlerësojnë se pas thirrjeve të këtilla të zyrtarëve të VMRO DPMNE-së duhet me urgjencë të reagojë Prokuroria.

“Parashihen dënime prej 3 vite e më lartë, në disa raste edhe 5 vite burg për atë që do të shkaktojë urejtje nacionale, fetare apo urrejtje tjetër, ku ka përbuzje të ndjenjave nacionale të pakicave që jetojnë në Maqedoni. Madje, vepër penale është edhe nëse përbuzë apo përqesh ndonjë diplomat apo pjesëtar të huaj. Prokuroria Publike dhe MPB sipas ligjit kanë për obligim të ngritin procedurë për personat që i kanë kryer këto vepra”, theksoi Zvonko Davidoviq, Avokat.

Nga Prokuroria Publike e Marko Zvërlevskit nuk ka përgjigje nëse do të veprojnë lidhur me fjalimet e mbrëmshme të urrejtjes dhe nxitjes së dhunës. Davidoviq shtoi se nëse nuk reagojnë institucionet, mundet qytetarët që ndjehen të ofenduar nga deklaratat, të ngrenë kallëzim penal deri tek institucionet kompetente. Për një pjesë të profesorëve universitar, qëllimi i gjuhës së urrejtjes është përsëri shqiptarët dhe maqedonasit të futen në konflikt.

“Në fakt bëhet fjalë për fjalim nxitës dhe shqetësues që mund të sjellë dhunë, ndërsa mund të shkaktojë edhe pasoja direkte mes qytetarëve, fizike dhe emocionale. Absolutisht është e palejuar dhe e pahijshme retorika e këtillë sidomos nga ata që janë në funksione publike apo pretendojnë të jenë në funksione publike”, deklaroi Marina Tuneva, profesoreshë universitare.

“Nata e thikave të gjata” në të cilën mbrëmë u thirr Valentina Bozhinovska nga Komisioni për marrëdhënie mes komuniteteve fetare ka ndodhur në vitin 1934 kur Hitleri është ballafaquar me kundërshtarët në partinë e tij, por edhe me kritikët, pas çka pas kësaj nate, në Gjermaninë naziste janë lejuar vrasjet pa procedurë gjyqësore./alsatm