‘Tifozat Kuq e Zi’ bëhen pjesë e një organizate europiane

'Tifozat Kuq e Zi' bëhen pjesë e një organizate europiane

Tifo-grupi më i madh dhe i mirëorganizuar i kombëtares, “Tifozat Kuq e Zi”, janë bërë tashmë pjesë e një organizate më të madhe, me kufij kontinentalë.

Përmes një njoftimi, ky grupim tifozësh kuqezinj duan ta ndajnë këtë lajm të gëzuar me të gjithë: “Me kënaqësi duam të shprehim lajmin që Tifozat Kuq e Zi (TKZ) tashmë janë anëtarë të organizatës së përkrahësve europianë të Futbollit (Football Supporters Europe – FSE)!

FSE është një rrjet i pavarur i tifozëve, i organizuar në mënyrë demokratike me anëtarë dhe grupe tifozërike nga 40 vende të mbarë kontinentit. Për më shumë se një dekadë, kjo organizatë mbron të drejtat e tifozëve në raport me institucionet europiane e botërore të futbollit, UEFA dhe FIFA, gjithashtu dhe institucionet e tjera europiane. Në fakt, në Kampionatin Europian të Futbollit (“Francë 2016”), TKZ, përmes projektit vullnetar “FSE Embassy”, ka ofruar përkrahje për tifozët shqiptarë, duke dhënë shembullin për shumë vende tjera. FSE aktualisht është duke punuar në çështje si qëndrim në këmbë gjatë ndeshjeve, përmirësimi i kushteve gjatë udhëtimit si mysafirë, përkrahja për tifozët e kombëtareve, kundërshtimi i kartelave identifikuese për tifozët. Gjatë kongresit të fundit të tifozëve europian të futbollit, të mbajtur rishtazi në Belgjikë, FSE po ashtu ka diskutuar mbi ndikimin e terrorizmit në kulturën e tifozëve, qasjet alternative ndaj piroteknikës dhe roli i futbollit në përkrahje të refugjatëve. Anëtarësimi i TKZ në këtë organizatë nuk është institucional, pra plotësisht i pavarur nga organet udhëheqëse të sporteve përkatëse të Shqipërisë. Gjithashtu, anëtarësimi i TKZ në këtë organizatë pritet të lehtësojë qasjen tonë në institucionet ndërkombëtarë përgjegjëse për zhvillimin e politikave tifozërike anembanë Europës dhe në interes të anëtarësisë së gjerë të anëtarsisë sonë”. Vlen të theksohet se organizata përbëhet nga vullnetarë të ndryshëm anembanë globit, me zyrën dhe stafin e saj në Hamburg të Gjermanisë. Bashkë me urimin për anëtarësim, shprehim edhe mirënjohjen për secilin person që ka kontribuar drejt kësaj arritjeje!” /Telesport/