Tirana në dasëm, martohet zv.kapiteni Gentian Muça (Foto)

Ekipi i Tiranës nuk ka vetëm ndeshje përpara por edhe dasëm. Sfida kryesore e javës së 7-të të Superiores, e cila do të luhet të dielën, në orën 17:00, do të paraprihet nga dasma e zv.kapitenit Gentian Muça.

“Pinjolli” bardheblu, një nga “Tirona Fanatics”, shtyllë kryesore në mbrojtjen e 24 herë kampionëve të vendit, do të djegë shaminë e beqarit. Në fakt, ceremoninë e dasmës e ka hapur që të premten, kur ka vizituar edhe xhaminë, bashkë me shoqen e jetës, ku si besimtar i devotshëm është lutur.

Ai ka qenë i veshur me kostum të zi dhe këmishë të bardhë, ndërsa nusja e mbuluar e gjitha me një vello si dëbora. Mësohet se pjesa kryesore e dasmës me familjarët dhe të afërmit do të bëhet të dielën paradite, kur do të marrë edhe nusen, ndërkohë që Muça ka rezervuar disa momente nga ky gëzim edhe në prani të tifozëve.

Pra, bashkë me nusen, ai do të vizitojë “Selman Stermasin” para ndeshjes me Skënderbeun, për ta bërë krejt familjen e madhe bardheblu “dëshmitare” të martesës së tij.