Tiranë – Shuhet këngëtarja Anita Take

Është ndarë nga jeta mbrëmjen e së enjtes këngëtarja e mirënjohur e muzikë së lehtë shqiptare Anita Take. 

Këngëtarja u shua në moshën 83-vjeçare.

Anita Take është ngjitur në skenë para 50-vjetësh, por kujtohet me nostalgji nga të gjithë ata që e kanë njohur atë. Ajo do të mbetet në kujtesën e shqiptarëve dhe shumë këngë të saj akoma këndohen edhe sot.

E lindur në një familje, që nuk merrej me muzikë, por që ishin shumë dashamirës dhe pasionantë ndaj saj, Anita Take do t’i jepte familjes së saj, atë që nuk ua kishte dhënë asnjë fëmijë dhe profesion tjetër. Por, krahas zërit dhe pasionit për këngën, ajo pati edhe një fat tjetër të bardhë në jetë, sepse u njoh dhe lidhi jetën e përjetshme me një nga kompozitorët më të shquar të muzikës dhe me themeluesin e muzikës së lehtë shqiptare, Agim Prodani. Kjo lidhje e saj me një artist dhe një mjeshtër të kompozicionit, bëri që Anita Take brenda një kohe relativisht shumë të shkurtër, të bëhej këngëtarja më e kërkuar për artdashësit shqiptarë.

Për kontributin e dhënë në muzikë dhe në këngë, ajo është dekoruar nga Presidenti me titullin e lartë: “Naim Frashëri i Artë”.