Tragjedi në Itali, vdesin 4 të rinj shqiptarë

Një aksident rrugor i ndodhur gjatë natës në komunën italiane Guidonia Montecelio i ka marrë jetën katër të rinjve.

Ata ishin në bordin e një “Mini Cooper” që përfundoi jashtë rruge rreth orës 3:30 të mëngjesit të sotëm në rrugën Tiburtina de u përplasu me muret e një restoranti.

Viktimat, dy djem dhe dy vajza mes 19 dhe 17-vjeç, nuk janë identifikuar akoma. Megjithatë, nga hetimet e para, të rinjtë janë me origjinë shqiptare, raporton media prestigjozja italiane “La Repubblica”. Edhe “Corriere Della Sera” shkruan se të katër viktimat janë shqiptarë.

Ata që dhanë alarmin ishin disa shoferë. Makina me të cilën udhëtonin të rinjtë u shkatërrua nga përplasja. Në vendngjarje mbërritën forcat zjarrfikëse, të cilave iu deshën më shumë se 3 orë për të nxjerrë dy trupa të ngecur në mjet. Ndërkohë, dy viktima të tjera fluturuan nga makina për shkak të përplasjes. Ata u gjetën 30 metra nga vendi i përplasjes.

“Ishte e tmerrshme, nuk mundëm të bënim asgjë”, thanë dëshmitarët.

Trupat u transportuan në morgun e Veranos për autopsinë që do të kryhet në orët e ardhshme./Syri