Trajneri i Majlinda Kelmendit: Ja huazoj Shqipërisë një kampione

Trajneri i Majlinda Kelmendit: Ja huazoj Shqipërisë një kampione

 


Trajneri i Majlinda Kelmendit: Ja huazoj Shqipërisë një kampione

Driton Kuka, trajner Kampion Bote në xhudo, bashkë me sportisten Majlinda Kelmendi kanë rrëfyer se nuk pranojnë asnjë ofertë të shteteve të huaja për të garuar në emrin e tyre.

“Shtete që kanë miliona euro fonde për Federatën e Xhudos do ta dëshironin Majlindën, por për ne ajo është një çështje e mbyllur. Pasi përfaqësoi Shqipërinë Majlinda nuk do të garojë për askënd tjetër përveç Kosovës” tha trajneri Kuka.

Por me një ofertë surprizuese u shfaq në bisedë me Jonida Shehun, trajneri që po vesh me ar Kosovën. “Unë kam edhe një sportiste tjetër e cila është aktualisht Kampione e Botës për të rinj në xhudo në peshën 52 kg. Është në të njëjtën peshë me Majlindën. Unë jam i gatshëm që këtë kampione t’ia ofroj Shqipërisë, me kushtin që të kem një garanci nga shteti i Shqipërisë se do të investojë tek ajo, do t’i mundësojë kushtet ekonomike” tha Kuka.

Sportistja në fjalë është Distria Krasniqi, ajo nuk mori pjesë në Rio 2016 për arsye se vetëm një sportist mund ta përfaqësojë vendin e tij në një peshë të caktuar.

“Nëse do të realizohet kjo gjë, unë do të shkoj në Olimpiadë me dy sportiste, njërën për Shqipërinë e njërën për Kosovën e me siguri që në finale edhe medaljen e artë edhe të argjendtë mund ta fitojnë këto shqiptare” tha me mjaft optimizëm Kuka në tch.

Majlinda Kelmendi, sipas tij, është një shembull pozitiv për të rinjtë e Kosovës, si sportiste dhe si njeri.