Trajneri i ri i Kukësit, reagojnë tifozët: Ata na burgosin Ballistin, ne u punësojmë të birin

Pas largimit të trajnerit Ernest Gjoka, Kukësi ia ka besuar stolin teknikut serb, Mladen Milinkoviç. Ky i fundit ka lënë Luftëtarin dhe do u bashkohet kampionëve të Shqipërisë për të nisur aventurën e tij të re.

Gjithsesi, ky lajm nuk është pritur aspak mirë nga tifozët e Kukësit të cilët e lidhin afrimin e trajnerit Milinkoviç me ekstradimin e Ballist Morinës në Serbi.

Faqja “Tifozat Kuksian” ka dalë hapur kundër drejtuesve të ekipit për të sjellë në skuadër këtë trajner. “Ata na fusin heroin në burg, ne u punësojmë të birin!”, ka qenë një nga statuset e tyre i shoqëruar dhe me foto ku duket qartë inati që kanë përbrenda.

Por jo vetëm ata. Edhe faqe të tjera të Kukësit në rrjetet sociale kanë bërë ironi me emërimin e trajnerit të ri dhe rastësisë së dy lajmeve, të Ballist Morinës nga Kukësi që mund të ekstradohet në Beograd dhe emërimit të trajnerit serb tek Kukësi.