Transporti i nxënësve në Tetovë, protesta para Komunës

Nxënësit e gjimnazit të Tetovës kanë bojkotuar mësimin për të protestuar para Komunës lidhur me mungesën e transportit. Nga autoritetet sërish morën premtime për zgjidhjen e këtij problemi të pranishëm që nga nisja e vitit shkollor.

“Ata na premtuan se do e rregullojnë. Do bëjnë edhe mbledhje të tjera , do formojmë këshille nga shkollat besoj se do bëhet më mirë, por premtime ka shumë do e shohim nëse do i bëjnë”, tha një nxënës.

“Kërkesat tona ishin që të kemi transport. Na premtuan se do të bëjnë pagesën”, u shpreh një nxënës tjetër.

Prindërit kërcënohen me masa më radikale nëse problemi nuk merr zgjidhje së shpejti.

“Do të marrim masa, do të bëjmë protesta që fëmijët të shkojnë në shkollë”, deklaroi një prind.

“Kombi nuk kanë mjaftueshëm nxënësit. Sot e çova djalin në shkollë e kanë kthyer prap. Kërkojmë që t’iu paguhet transporti si të tjerëve, zbresim poshtë, nuk ka kombe. Nuk mund t’i përmbajmë”, tha një prind tjetër.

Nga Komuna e Tetovës fajin për problemet me transportin e hedhin tek drejtuesit e shkollave mesme.

“Transporti publik kryhet mbi bazën e bllok dotacioneve që lëshohen nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës deri tek subjektet juridike përkatëse që janë shkollat publike. Komuna e Tetovës nuk bën hapjen e procedurave për furnizim publik për sa i takon transportit publik të nxënësve, por e njëjta kryhet nga subjektet përgjegjëse që në këtë rast janë shkollat e mesme”, thanë nga Komuna e Tetovës.

E derisa Komuna e Tetovës dhe Ministria e Arsimit hedhin fajin njëra tjetrës, nxënësit e shkollave të mesme të Tetovës, vazhdojnë të paguajnë transportin nga xhepi i tyre.

Vjollca Aliti