Tri shtete mund ta organizojnë një botëror

Viti 2026 mund të jetë viti më i madh i të gjitha kohëve  të futbollit jo vetëm për faktin se presidenti i FIFA-s, Xhani Infantino po planifikon të rritë numrin e skuadrave pjesëmarrëse në 48 në atë edicion. Por mund të kemi edhe premierë në shtrirjen gjeografike të shteteve organizatore. Kështu, tre shtete janë gati të kandidojnë së bashku për organizimin e tij. Presidenti i Konfederatës së Vendeve të Amerikës së Veriut, Qendrore dhe Karaibeve (CONCACAF), Viktor Montiljani, konfirmoi gjithçka për “Reuters”. “Kanadaja, SHBA dhe Meksika po planifikojnë të organizojnë një Botëror së bashku. Ne jemi të hapur për një organizim të tillë sepse numri më i madh i skuadrave rrit edhe koston financiare për një vend, ndaj këto kosto mund të ndahen mes vendeve të ndryshme”, tha ai. Bisedimet për organizimin dhe propozimin e një kandidature të përbashkët të tre vendeve do të fillojnë në vitin e ardhshëm, pasi të mësohet vendimi përfundimtar i FIFA-s mbi numrin e skuadrave pjesëmarrëse dhe formulës. Në të kaluarën, Botërori është “ndarë” mes dy vendeve vetëm në edicionin e vitit 2002, mes Japonisë dhe Koresë së Jugut. Organizimi i këtij aktiviteti në këtë mënyrë sigurisht që do të përballej me vështirësi,  sidomos për sa u përket udhëtimeve të gjata  të futbollistëve dhe distancë nga njëri shtet në tjetrin.