Trump mbërrin në Arabinë Saudite

Presidenti Donald Trump ka mbërritur në Arabinë Saudite në kuadër të turit të tij të parë jashtë Shteteve të Bashkuara si president. Palët do të firmosin marrëveshje miliarda dollarëshe ekonomike, ndërkohë që edhe do të diskutojnë mbi strategji të përbashkëta për luftën kundër terrorizmit islamist. Turi 8-ditor i Trump do të përmbyllet me udhëtimin e tij në Siçili.
Marrëveshje miliarda dollarëshe do të firmosen mes Shteteve të Bashkuara e Arabisë Saudite, teksa Donald Trump ka mbërritur në Riad, ndalesa e tij të parë në turin e parë jashtë SHBA-ve si president. Vizita vjen në një kohë trazirash pasi presidenti Trump përballet me akuza për shkarkimin nga puna të shefit të FBI, James Comey. Në këtë vizitë, Trump shoqërohet nga bashkëshortja e tij Melania, vajza e tij Ivanka, një këshilltare e papaguar në Shtëpinë e Bardhë dhe bashkëshorti i saj Jared Kushner, një anëtar kryesor i kabinetit qeverisës. Ashtu si kryeministrja britanike Theresa May dhe kancelarja gjermane Angela Merkel në vizitat e tyre në Arabinë Saudite, as zonjat Trump nuk u shfaqën me shami në kokë.
Të dielën, Trump do të ndjekë një samit në Riad ku ai do të flasë për shpresën e tij për një vizion paqësor të islamit. Ndihmësit e tij thonë se presidenti shpreson se ky fjalim do të përcjellë një vizion të përbashkët të paqes, progresit dhe mbarësisë. Trump ka shkaktuar jo pak polemika gjatë fushatës së tij presidenciale, kur kërkoi që muslimanëve t’ju ndalohej përkohësisht hyrja në SHBA për shkak të arsyeve të sigurisë. Axhenda e samitit pritet të fokusohet në luftën kundër militantëve islamistë dhe influencën rajonale në rritje të Iranit. Ndryshe nga paraardhësi i tij, Barack Obama, Trump nuk pritet të përqëndrohet në çështjet e të drejtave të njeriut gjatë këtij udhëtimi 8-ditor që do ta çojë presidentin në Izrael, territoret palestineze, Bruksel, Vatikan e Siçili.