Trump serbëve: Ju jeni popull i mrekullueshëm

Mediet serbe vazhdojnë t’i vardisen kryetarit të ri të SHBA Donald Trump, transmetion Koha.net.

Një hap më larg në këtë drejtim e ka bërë sërish portali “Kurir”.Kjo gazetë online, pasi ditë më parë kishte njoftuar se kryetari rus Putin e ai amerikan Trump gjoja do të takohen në Beograd, sot ka zbuluar se Donald Trump ka shfaqur dëshirë që të takohet me kryeministrin serb Aleksandar Vuçiq.

Të pakën, sipas këtij portali, kështu ka thënë ambasadori i Serbisë në Washington Gjergj Matkoviq. Matkoviq, në bisedën për “Kurir”in ka theksuar se presidenti i SHBA Donald Trump u ka dërguar një mesazh serbëve : “Ju jeni popull i mrekullueshëm“!

Shefi i Shtëpisë së Bardhë paska thënë kështu gjatë takimit me ambasadorin e Serbisë duke shtuar se “është i mrekulluar me popullaritetin që e ka në Serbi” dhe njëkohësish ka shfaqur shpresën e dëshirën për një takim me kryetarin e Qeverisë serbe Aleksandar Vuçiq. Serbia shpreson të ketë përfitime për Kosovën në rast të përmirësimi të marrëdhënieve SHBA- Rusi.