Tubimi i madh në Gostivar, Ahmeti: Po fitojmë, ndërpresim fushatën partiake, tashmë fushatë kombëtare për më shumë mandate shqiptare

Bashkimi Demokratik për Integrim përmbylli aktivitetet ditore të fushatës në Gostivar. Lideri i BDI-së, Ali Ahmeti para një numri të madh të banorëve të tubuar në sheshin e Gostivarit, tha se subjekti politik që ai udhëheq do të vazhdojë të qëndrojë i palëkundur në bindjet e tij dhe që do të angazhohet në të mirën e qytetarëve shqiptarë kudo që jetojnë në Maqedoni.

Ahmeti gjithashtu tha se ky do të jetë një mandat që kërkon kapacitete në të gjitha fushat, sidomos në ndërtimin e politikave dhe tejkalimit të problemeve që nuk kanë kohë për të pritur.

“Pasi analizova dhe shikova vlerat se me çfarë prezantohen ata, pasi pash se me çfarë programi duan të garojnë me BDI-në, vlerësova që aty nuk ka vlera por vetëm se ofendime, vetëm sharrje banale që nuk u ngjajnë shqiptarëve, pasi ne jemi të edukuar të mos përdorim një vokabular të atillë. Prandaj vlerësova se jemi të pakonkurrencë, dhe i dhash urdhër shefit të shtabit qendror që të ndërpriten të gjitha akivitetet partiake dhe ajo të shëndrohet në axhendë kombëtare, pasi këtë gjë mund ta bëjnë vetëm bijtë dhe bijat më të devotshme të popullit shqiptar. Kjo fushatë tashmë pesë ditë ka dimensionin kombëtar, ku unë kombit i drejtohem si një shqiptar. Bëhuni bashkë vëllezër e motra, thirrni ata që kanë luhatje apo hezitim, le t’i bashkohen doktrinës tuaj pasi edhe ata do të jetë të fituar”, deklaroi lideri i BDI-së dhe bartës liste për njësinë 6, Ali Ahmeti.

Kandidati për deputet për njësinë 6, Talat Xhaferi porositi banorët e Gostivarit që të jenë syqelë dhe të mendojnë dy herë se për kë do të votojnë më 11 dhjetor.

“Shumëkush kaloi nëpër këtë shesh, por ata kishin vetëm një mesazh, të rrëzojnë Ali Ahmetin, por lideri ynë dhe BDI kanë dalë nga gjiri i popullit dhe ska kush i rrënon. Për BDI-në nuk vendosin kuloaret kudo qofshin, por vendosni ju të nderuar qytetarë, kështu të bashkuar ditën e diel, në mënyrë festive t’i m’veshemi vendvotimeve tona dhe t’u tregojmë atyre ku e kanë vendin”, u shpreh kandidati për deputet për njësinë 6, Talat Xhaferi.

Shefi i Shtabit Qendror Zgjedhor, Bekim Neziri tha se BDI në krye me Ali Ahmetin ka përkrahjen e popullit shqiptar dhe në zgjedhjet e 11 dhjetorit.

“Dëshiroj të bëjë një dallim mes ne dhe ata, por jo me platformë zgjedhore, ata dje në Gostivar nuk mundën të mbushin një sallë, kurse ne sonte mbushëm sheshin e Gostivarit. Ata 150 apo 200 persona që kanë mbetur në Gostivar le të radhiten pas politikave të BDI-së, nëse dëshirojnë të shijojnë fitoren me datë 11 dhjetor. Grushtin e fundit, atyre të tjerëve do ua japim nesër në sheshin e madh të Tetovës”, u shpreh Shefi i Shtabit Qëndror, Bekim Neziri.

Nga BDI edhe gjatë tubimit të sotëm në Gostivar përsëritën qëndrimin se të gjithë ata që nuk ia dëshirojnë të mirën popullit shqiptar, dëshirojnë që ne të jemi të përçarë e të ndarë, prandaj shqiptarët duhet të mobilizohen dhe të gjithë bashkë të votojnë BDI-në dhe me këtë të sfidojnë rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2014.